Foto: FFK

VIDEO - Glauk Konjufca komenton paraqitjen e Kosovës në futboll: Nuk jam i kënaqur

Kryeparlamentari Glauk Konjufca në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur në lidhje me performancën e Kombëtarë së Kosovës në futboll.

Konjufca ka thënë se nuk është i kënaqur me kombëtaren në dy vitet e fundit, përderisa shton se nuk dëshiron të akuzojë askënd për këto rezultate dhe renditjen si të parafundit në tabelë.

“Po unë nuk jam i kënaqur me këto dy vitet e fundit me thënë të drejtë me Kombëtaren e Kosovës. Nuk po du me akuzu sepse unë gjithmonë jam me funksionu në frymë pozitive se qysh me gjet një çelës ku ne për pak sa u kualifikuam para katër viteve, e tash jemi të parafundit në tabelë dhe nuk jemi mirë” – tha Konjufca.

“Unë jam shumë adhurues i futbollit edhe i sportit. Por mua më duket se para katër viteve Kosova ekipin që e kishte me rezultate edhe suksesin në Ligën e Kombeve në ato vite, po më jep diçka tjetër me një koncept që e ka zhvillu trajneri dhe me siguri që nuk është çështje e një individi aty por njëfarë bordi i Federatës tonë i cili i merr të gjitha vendimet, me ç’rast trajneri negocion me bordin dhe zhvillohet njëfarë koncepti i përbashkët se si duhet të zhvillohet kombëtarja, lojtarët e rekrutimi i tyre, shpërndarja dhe pozicionet secili se si e ka përformimin më të mirë”- thekson kryetari i Kuvendit.

Kosova humbi përballë Rumanisë me rezultat 2:0, duke zbehur gjasat për Kampionatin Europian të vitit të ardhshëm që mbahet në Gjermani.