VIDEO: Ç'është ky tym i zi nga termocentrali në Obiliq?

Tym jo i zakonshëm ka dalë nga oxhaku i një termocentrali të KEK-ut dhe është përhapur në një zonë të gjerë.

Sipas pamjeve të dërguara nga një qytetar në adresë të KALLXO.com shihet tym i zi që del nga oxhaku i termocentracit në Obiliq dhe krijon një re në mënyrë horizontale.

Sipas qytetarit, pamjet janë marrë nga Prishtina të hënën paradite.

Lidhur me këtë çështje KALLXO.com ka kontaktuar zëdhënësin e KEK-ut, Skënder Bucollin.

Ai tha se pamjet që i ka siguruar KALLXO.com, sipas udhëheqësve të prodhimit të KEK-ut, nuk janë të sotme.

“Përndryshe tym më i theksuar në njësitë tona prodhuese mund të ketë vetëm gjatë startimit të bllokut që është proces i pashmangshëm teknologjik në të gjitha termocentralet, i cili zgjat për një periudhë kohore 2-3 orë“, tha Bucolli.