VIDEO - Barrikadat vazhdojnë të jenë në mes të rrugës, situata po vëzhgohet nga KFOR dhe EULEX

Situatë në veri të vendit në këto momente duket e qetë, derisa barrikadat vazhdojnë të bllokojnë rrugën kryesore në fshatin Rudar të Zveçanit.

Situata në këtë vend është duke u vëzhguar nga KFOR dhe EULEX.

Ndërsa në anën tjetër të barrikadave, në afërsi të Zveçanit gazetarët e KALLXO.com nga vendi i ngjarjes raportojnë se janë të mbledhur dhjetëra serbë lokal, të cilët kanë ngritur edhe tenda, por që edhe aty situata është e qetë dhe po vëzhgohet nga policia e EULEX.

Rrugët në veri vazhdojnë të jenë të bllokuara.

Prej ditësh, në veri të vendit situata është tensionuar. Më 10 dhjetor pasdite në veri janë dëgjuar alarmet. Pas këtyre alarmeve ka pasur grumbullim të qytetarëve serbë dhe bllokim të rrugëve.

Policia e Kosovës ka njoftuar se për shkak të bllokimit të rrugëve ka mbyllur për qarkullim pikën kufitare në Jarinjë dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të përdorin pika të tjera kufitare për të hyrë në Kosovë ose për të dalë nga Kosova.

Bllokimi i rrugëve ka ardhur pas njoftimit se nga Policia e Kosovës është arrestuar ish-polici Dejan Pantiq.

Sipas Policisë, Pantiq po dyshohet se ka organizuar sulmin në zyret e KKZ-së në veri të vendit me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se Pantiq akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues të Kosovës.

Ndërkaq, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pas konsultimit me partitë politike ka vendosur të shtyjë për më 23 prill 2023 zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë dhe kuvendet komunale të 4 komunave të veriut.