Shefi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian Josep Borrell.

Borrell për barrikadat: Diplomacia mbizotëroi në uljen e tensioneve në veri

Përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka reaguar pasi ka nisur heqja e barrikadave në Rudarë.

Borrell ka thënë se diplomacia mbizotëroi në uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

“Diplomacia mbizotëroi në uljen e tensioneve në veri të Kosovës. Dhuna nuk mund të jetë kurrë një zgjidhje. Mirë se vini në lidershipin e përgjegjshëm të presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti” – ka shkruar Borrell në Twitter.

“Tani nevojitet përparim urgjent në dialog” – ka thënë Borrell.

Tutje ai ka thënë se ka pasur bashkëpunim të mirë mes Bashkimit Evropian, SHBA-së dhe NATO-s, duke falënderuar të gjitha palët e përfshira.

 

Gati tri javë pas vendosjes së tyre, sot ka filluar largimi i barrikadave në Rudarë.

Largimi i tyre ka ardhur pas takimit që presidenti i Serbisë e ka mbajtur mbrëmë në Rashkë, ku u premtua që brenda 24 deri në 48 orë do të bëhet largimi i barrikadave.

Bllokimi i rrugëve të veriut erdhi pas arrestimit të ish-zyrtarit policor serb, Dejan Pantiq, i cili dyshohet se ka kryet vepra penale terroriste.

Pantiq fillimisht u dërguar në paraburgim nën dyshimin se i njëjti më 6 dhjetor 2022 ka organizuar sulmet që ndodhën në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën Veriore. Pantiq ishte arrestuar nga policia e Kosovës më datën 10 dhjetor për sulm në zyrat e KQZ-së në Mitrovicë.

Më 28 dhjetor, me kërkesë të Prokurorisë, Pantiqit iu zëvendësua masa e paraburgimit me atë të masës së arrestit shtëpiak.