(VIDEO) Banorët e Durrësit rrëfejnë tmerret e tërmetit

Rreth 30 persona kanë mbetur të vdekur dhe qindra të plagosur nga tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë në orët e mëngjesit të së martës.

KALLXO.com ka qëndruar  në zonat më të prekura nga lëkundjet.

Banorët të Durrësit kanë rrëfyer tmerrin e tërmetit dhe përjetimet e tyre në natën e parë ku qëndruan jashtë ndërtesave.

Ata rrëfejnë momentin kur kanë dëgjuar lëkundjet e fuqishme, e të cilët tregojnë se janë larguar me vrap jashtë vendbanimeve të tyre.

Hajrie Binozi është njëra nga banoret e kësaj zone e cila rrëfen se ndihen të rrezikuar që të hyjnë në ndërtesën e tyre ku qëndrojnë.

Ajo bashkë me bashkëshortin e saj, kërkojnë përgjegjësi nga bashkia e Durrësit.

“Na kanë ra muret, goca e ka këtu te fusha e sporteve asaj i janë thyer me xhama me gjithçka. Nuk e dimë ku do të shkojmë as ku do të mbytemi”, u shpreh Binozi për KALLXO.com, të marten.

Përderisa edhe banorja tjetër, Valbona Spirollari tregon se që momenti i lëkundjes së tokës kanë qëndruar jashtë dhe se kanë frikë të hyjnë brenda.

Shqipëria është goditur nga një tërmet i fuqishëm nga i cili deri më tani raportohet se janë shënuar  rreth 30 viktima.

Shumë qytetarë të Thumanës së Durrësit kanë zbardhur mëngjesin e ftohtë në tendat e vendosura përgjatë një fushë sportive në këtë zonë.

Gërmimet po vazhdojnë në kërkim të personave që dyshohet se janë nën rrënojat e ndërtesave në fshatin Thumanë –  një ndër zonat më të prekura nga lëkundjet e tokës.

Shqipëria sot është në zi dhe ka shpallur situatë të jashtëzakonshme.

Ekipi i KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht drejtpërdrejt nga Thumane dhe Durrës të cilat mund të i lexoni në këtë link.