Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Vetëvendosje thotë se i bashkohet 'Marshit për drejtësi'
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka deklaruar se mbështetin “Marshin për Drejtësi” që do të mbahet këtë të diel më 2 prill në Prishtinë, për t’u solidarizuar me krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.
LVV ka përmendur faktin që Rexhep Selimi, ish-shefi i grupit parlamentar të LVV-së, që së bashku me Lëvizjen ishin kundër themelimin e Gjykatës Speciale.
Por, shprehen të sigurt se Selimi do të dalë fitimtar “edhe në betejën e radhës”.
“Lufta jonë çlirimtare është prej ngjarjeve historike më të vlefshme që kemi. Falë kësaj lufte të drejtë, sakrificës, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorëve dhe martirëve tanë, gëzojmë lirinë dhe shtetin që e kemi sot. Instanca të njëpasnjëshme gjyqësie kanë provuar ta gjykojnë luftën tonë çlirimtare por asnjëra nuk gjeti asgjë andaj edhe u formua kjo gjykatë e padrejtësisë speciale që po i mbanë krerët e luftës tonë në Hagë” – thuhet në njoftimin e LVV-së.
Gjithashtu theksojnë se krerët e UÇK-së, që po mbahen në Hagë do të dalin faqe bardhë nga ky proces.
“Ne jemi të bindur se ata do ta tejkalojnë me faqe të bardhë edhe këtë sfidë, duke mbrojtur edhe njëherë luftën e drejtë të UÇK-së dhe popullit të saj nga akuzat e padrejta dhe nga fushatat që synojnë përbaltjen e luftës së shqiptarëve të shtypur” – përfundon njoftimi i LVV-së.
Këtë të diel platforma “Liria ka emër” nga ora 14:00 organizon marsh qytetar dhe solidarizues në mbështetje të luftës së drejtë të UÇK-së dhe ish-krerëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarëve të tyre.
Marshi do të niset nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe do të vazhdojë në drejtim të sheshit “Skënderbeu”
Gjykimi kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të fillojë të hënën, më 3 prill, me deklaratat hyrëse të të akuzuarve.
Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020 dhe po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ata nuk e kanë pranuar fajësinë.