Veseli për kyçjen e KOSTT në ENTSO-E: Ky vendim hap rrugën për funksionalizimin e autostradës energjetike Kosovë - Shqipëri

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se votimi i marrëveshjes së përfshirjes së Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) në Rrjetin Europian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë (ENTSO –E) është një lajm shumë i gëzuar për Kosovën.

“Ky anëtarësim është produkt i përpjekjeve tona të mëdha shumëvjeçare dhe do të mundësojë një integrim të plotë të vendit tonë në tregun rajonal dhe atë europian të energjisë elektrike”, ka shkruar Veseli.

Për më tepër, Veseli ka thënë se ky vendim i hap rrugën edhe funksionalizimit të autostradës energjetike Kosovë – Shqipëri, e cila për vite me radhë ka qenë padrejtësisht e bllokuar.

“Falënderoj KOSTT-in, si dhe në veçanti Ambasadën e SHBA-ve dhe atë të Gjermanisë, që i qëndruan shumë afër Kosovës me mbështetje politike dhe teknike në këtë proces”, ka përfunduar Veseli.

Lajmin që sot ka përfunduar procesi i votimit për Marrëveshjen e Re të Kyçjes në mes KOSTT dhe Rrjetit Europian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë (ENTSO –E), e ka dhënë ministrja në detyrë e Ekonomisë, Rozeta Hajdari.

Kanë kaluar 4 vjet që kur është finalizuar dhe testuar linja interkonektive 400 kilovoltëshe mes Shqipërisë dhe Kosovës, mirëpo ajo nuk po mund të shfrytëzohet për shkak të pengesave nga Serbia.

Projekti i ndërtimit të autostradës energjetike Kosovë-Shqipëri kishte kushtuar 33.5 milionë euro vetëm në pjesën e Kosovës dhe financimi i saj ishte bërë nga Qeveria Gjermane. 16.5 milionë dollarë kanë qenë grant, ndërsa 17 milionë euro kanë qenë kredi komerciale afatgjate me kushte kredituese të buta që është dhënë përmes Bankës për Zhvillim (KfW). Ngjashëm, Qeveria Gjermane nëpërmjet KfW-së gjithashtu ka financuar pjesën e linjës në anën e Shqipërisë.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Kosovës (KOSTT) tashmë e ka paguar gati gjysmën e kredisë, ndërkohë që nuk ka arritur të ketë asnjë të hyrë nga linja 400 kilovoltëshe.

Kjo kredi ishte e para për Kosovën pas shpalljes së pavarësisë. Edhe pse është nënshkruar me 23 dhjetor 2009, kthimi i kredisë kishte nisur vetëm në vitin 2016 për shkak të grejs-peridhës që ishte dhënë.

“Kthimi i kredisë ka filluar në vitin 2016, ndërsa shuma e paguar deri me datë 31.12.2019 është 8 milionë euro. Pagesa e kredisë përfundon në qershor të vitit 2024”, thuhet në përgjigjet e KOSTT për KALLXO.com.

Autostrada Energjetike është bllokuar për shkak se Serbia nuk e ka zbatuar marrëveshjen për energji të nënshkruar në Bruksel me Kosovën në vitin 2013. Përkundër disa vendimeve të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë si dhe thirrjeve të BE-së, Serbia nuk e ka zbatuar marrëveshjen për energji duke i shkaktuar humbje milionëshe Kosovës në këtë sektor.

Më herët edhe Ambasada gjermane e ka uruar Kosovën për një marrëveshje të tillë, duke e quajtur moment historik.

Humbjet Milionëshe në Energjetikë