Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hyrja në fuqi e marrëveshjes mes KOSTT dhe ENTSO-E, Hoti: Urime pavarësia energjetike!

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar pasi Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu-KOSTT ka njoftuar se ka hyrë në fuqi marrëveshja e re e kyçjes KOSTT/ENTSO-E, katër muaj pas nënshkrimit.

Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se Hoti ka theksuar se ENTSO-E vlerësoi që KOSTT ka plotësuar të gjitha kushtet e parapara me marrëveshje dhe është e gatshme të operojë e pavarur nga Serbia, si zonë rregulluese brenda Bllokut Rregullues Kosovë – Shqipëri.

“Nga e drejta jonë dhe mbështetja e miqve u bë i mundur pavarësimi energjetik”, citohet të ketë thënë kryeministri.

Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu-KOSTT ka njoftuar se ka hyrë në fuqi marrëveshja e re e kyçjes KOSTT/ENTSO-E, katër muaj pas nënshkrimit.

Kjo marrëveshje u nënshkrua me 30 qershor ndërsa sot ka hyrë në fuqi pasi ENTSO-E ka vlerësuar që KOSTT ka plotësuar të gjitha kushtet e parapara me marrëveshje dhe është e gatshme të operojë e pavarur nga Serbia, si zonë rregulluese brenda Bllokut Rregullues Kosovë – Shqipëri.

Kryeshefi ekzekutiv i KOSTT, Ilir Shala, ka falënderuar të gjithë që e kanë bërë të mundshme arritjen e kësaj marrëveshje.

Për hyrjen në fuqi të marrëveshjes ka reaguar edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Meliza Haradinaj- Stublla.

Ajo ka përshëndetur votimin e suksesshëm në takimin e sotëm midis RGCE – ENTSO-E, i cili jetëson pavarësimin energjetik të Republikës së Kosovës.

Katër muaj pas nënshkrimit hyn në fuqi marrëveshja e pavarësimit energjetik të Kosovës