Foto: Ilir Shala/Facebook

Nënshkruhet marrëveshja për kyçjen e KOSTT në Rrjetin Europian të Sistemit të Transmisionit

Kryeshefi Ekzekutiv i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT, Ilir Shala ka njoftuar se sot ka nënshkruar marrëveshjen e kyçjes së KOSTT në Rrjetin Europian të Sistemit të Transmisionit  (ENTSO-E).

Shala ka thënë se me këtë marrëveshje KOSTT pavarësohet nga operimi brenda Zonës Rregulluese serbe EMS dhe nga Blloku Rregullues Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut dhe operon si Zonë e Pavarur Rregulluese, brenda Bllokut Rregullues Kosovë – Shqipëri.

Ai më tej ka thënë se kjo marrëveshje në vete përmban freskimin e katalogut të masave, sipas rekomandimeve të Grupit të Projektit për KOSTT-in, zëvendësimin e të gjitha referencave të doracakut të Operimit të Marrëveshjes Shumëpalëshe me referencat e SAFA (Marrëveshja Kornizë e Zonës Sinkrone), që kompania Elektrosever, të aplikojë në ZRrE dhe të licencohet brenda 30 ditëve sipas kornizës ligjore dhe rregullative të Kosovës, për të furnizuar me energji elektrike konsumatorët në pjesën veriore të Kosovës.

“Pra, kjo është një fitore e radhës me e madhja, që është rezultat i punës se palodhshme profesionale ekipore dhe angazhimit maksimal të Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu-KOSTT sh.a në sensibilizimin e situatës dhe gjetjen e përkrahjes tek OST-të Evropiane, duke prezantuar realitetin dhe te drejtën tonë për të operuar të pavarur me Sistemin Transmetues te Energjisë Elektrike, në tërë territorin e Republikës se Kosovës”, ka shkruar Shala në Facebook.

Kryeshefi ekezekutiv i KOSTT-it i ka numrëuar edhe përfitimet nga kjo marrëveshje. E para është inkasimi i të hyrave nga shfrytëzimi i rrjetit tonë transmetues ndërkombëtar – interkonektiv apo alokimi i kapaciteteve dhe menaxhimi i kongjestioneve, që kap vlerën në mesatare vjetore 4 deri në 8 milionë euro dhe nga transiti rreth 500 mijë deri në 1 milion euro.

Pas kësaj vjen lëshimi në operim të plotë i linjës interkonektive 400 kV, Kosovë – Shqipëri. Përfitimi i tretë është implementimi i plotë i Marrëveshjes së Bllokut Rregullues Kosovë – Shqipëri, nënshkruar në Tiranë, më 26 nëntor 2019më 26.11.2019.

Po ashtu tregu elektroenergjetik i Kosovës do të bashkohet me atë të Shqipërinë si dhe do të mundësohet pjesëmarrja me aksione në Bursën Shqiptare të energjisë elektrike (APEX).

Marrëveshja për Energji është njëra prej marrëveshjeve të arritura në mes të Serbisë dhe Kosovës në dialogun disavjeçar.

Kjo Marrëveshje, e arritur në vitin 2013, nuk është zbatuar. Moszbatimi i saj ka pasur pasoja të mëdha për Republikën e Kosovës qoftë në menaxhimin e sektorit të energjisë apo edhe financiare.

Dikur KEK-u e tash KESCO janë duke i furnizuar me energji elektrike katër komunat me shumicë serbe, por asnjëherë deri më tani nuk kanë pranuar asnjë pagesë. Këtë rrymë të shpenzuar në veri deri në muajin dhjetor të vitit 2017 e kanë paguar qytetarët e tjerë, kurse më pas e ka paguar Qeveria e Kosovës. Përveç kësaj, Serbia është thirrur si pronare e rrjetit të transmisionit dhe ka përfituar miliona euro.

E një nga pasojat e mos zbatimit të marrëveshjes për energji të nënshkruar në Bruksel në vitin 2013 është edhe pamundësia për të funksionalizuar linjën interkonektive 400 kV që lidh Kosovën me Shqipërinë.

Përkundër disa vendimeve të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë si dhe thirrjeve të BE-së, Serbia nuk e ka zbatuar marrëveshjen për energji duke i shkaktuar humbje milionëshe Kosovës në këtë sektor.

Janë realizuar me sukses të gjitha testimet e operimit të linjës interkonektive 400 kV nga KOSTT dhe OST Shqipëri, por funksionalizimi i saj nuk është realizuar.

Me vënien në operim të linjës së re 400 kV Kosovë-Shqipëri, do të mundësohet shkëmbimi më i madh i energjisë elektrike në mes të dy vendeve sidomos pas ngritjes së kapaciteteve gjeneruese të planifikuara në Kosovë të bazuara kryesisht në linjit si dhe të kapaciteteve gjeneruese hidro të Republikës së Shqipërisë.

Kosova dhe Shqipëria aktualisht janë të lidhura me një linjë interkonektive 220 kV. Sipas KOSTT kapaciteti i transferit të interkoneksionit me Shqipërinë aktualisht është rreth 200MW dhe me vënien në operim të linjës do të ngritet në rreth 700MW.

Projekti i ndërtimit të autostradës energjetike Kosovë-Shqipëri i kishte kushtuar 33.5 milionë euro vetëm në pjesën e Kosovës dhe financimi i saj ishte bërë nga Qeveria Gjermane. 16.5 milionë dollarë kanë qenë grant, ndërsa 17 milionë euro kanë qenë kredi komerciale afatgjate me kushte kredituese të buta që është dhënë përmes Bankës për Zhvillim (KfW). Ngjashëm, Qeveria Gjermane nëpërmjet KfW-së gjithashtu ka financuar pjesën e linjës në anën e Shqipërisë.

Kjo kredi ishte e para për Kosovën pas shpalljes së pavarësisë. Edhe pse është nënshkruar me 23 dhjetor 2009, kthimi i kredisë kishte nisur vetëm në vitin 2016 për shkak të grejs-peridhës që ishte dhënë.