Marrëveshja e Kyçjes KOSTT/ENTSO-E do të vazhdojë edhe dy vjet

Grupi Regjional i Evropës Kontinentale (RGCE), trup i ENTSO-E, ka përmbyllur sot votimin për vazhdimin e Marrëveshjes së Kyçjes KOSTT/ENTSO-E.

Kështu ka njoftuar Zana Bajrami-Rama, menaxhere për komunikim dhe relacione me publikun.

Ajo ka thënë se pas përfundimit të afatit dyvjeçar, vazhdimi i Marrëveshjes së Kyçjes KOSTT/ENTSO-E u përkrah uninanimisht nga ana e Operatorëve të Sistemit të Transmetimit të Evropës Kontinentale, nënshkruese të marrëveshjes.

Zana Bajrami-Rama tha se kjo marrëveshje do të vlejë për dy vitet e ardhshme.

“Me këtë, KOSTT (Kosova) vazhdon operimin e pavarur si zonë rregulluese në kuadër të Bllokut Rregullues Shqipëri-Kosovë, pjesë e zonës sinkrone të Evropës Kontinentale të ENTSO-E” – u shpreh ajo.

Tutje është njoftuar se ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të KOSTT-it, Sabri Musiqi, ka thënë se ky është një lajm shumë i mirë për Kosovën.

“Falënderoj të gjitha OST-të e Evropës Kontinentale pjesëmarrëse në votim për përkrahjen. Ky besim nga homologët tanë evropian nuk është sinjal për relaksim por obligim i të gjithë akterëve të Sistemit Elektroenergjetik të Kosovës për të kontribuar në funksionimin e sistemit në përputhje me standardet e parapara teknike. KOSTT si palë kontraktuese me ENTSO-E është e përkushtuar në përmbushjen strikte të të gjitha obligimeve që dalin nga Marrëveshja dhe për të kontribuar në sigurinë e operimit të sistemit rajonal të energjisë elektrike, si detyrë primare e Operatorëve të Sistemit të Transmetimit” – citohet të ketë thënë Musiqi.

Sipas komunikatës, në bazë të Marrëveshjes së Kyçjes KOSTT/ENTSO-E, Sistemi Elektroenergjetik i Kosovës/KOSTT përfundimisht u pavarësua nga Blloku SMM (Serbi, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut) dhe më 14 dhjetor 2020 filloi operimin si zonë e pavarur rregulluese në kuadër të Bllokut Shqipëri-Kosovë, zona sinkrone e Evropës Kontinentale të ENTSO-E.

“Kjo Marrëveshje ishte një nga të arriturat historike për shtetin e Kosovës dhe çelësi i progresit shumë-dimenzional për KOSTT dhe Sistemin Elektroenergjetik të Kosovës në përgjithësi” – thuhet në komunikatë.

Tutje u tha se nga dhjetori i vitit 2020 u arrit që:

1. Për herë të parë në historinë e sektorit të energjisë të Republikës së Kosovës filloi alokimi i kapaciteteve interkonektive (ndërshtetërore) nën mbikëqyrje nga KOSTT dhe inkasimi i të hyrave nga shitja e tyre

2. Përfundimisht pas më shumë se 4 vitesh nga përfundimi i ndërtimit u funksionalizua nga aspekti komercial linja interkonektive e tensionit të lartë 400kV Kosovë-Shqipëri. Investim i përbashkët me Bankën Gjermane për Zhvillim-KfË.

3. U krijuan kushtet për zhvillimin e proceseve të nevojshme drejt funksionalizimit të Bursës Shqiptare të Energjisë-ALPEX – Një institucion i rëndësishëm për zhvillimin e tregut konkurrues të energjisë elektrike për të dyja vendet Kosovë dhe Shqipëri.