Ilustrim

Thaçi për kyçjen në ENTSO-E: Shembull sesi duhet vazhduar përpara drejt realizimit të synimeve tona

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se nga sot Kosova është e pavarur edhe në fushën e energjisë.

“Është votuar Marrëveshja e Kyçjes së re nga Grupi Rajonal i Evropës Kontinentale, trup i ENTSO-E, me të cilën ka filluar përmbyllja e procesit të gjatë dhe të mundimshëm të pavarësimit të rrjetit energjetik të Kosovës, përkundër rezistencës së Serbisë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Thaçi ka shtuar se kjo është një e arritur e madhe e Kosovës dhe shembull sesi duhet vazhduar përpara drejt realizimit të synimeve tona strategjike.

“I jemi mirënjohës të gjithë miqve tanë ndërkombëtarë për përkrahjen e vazhdueshme dhe për përkrahjen e tyre në implementimin e kësaj marrëveshjeje”, ka përfunduar ai.

Lajmin që sot ka përfunduar procesi i votimit për Marrëveshjen e Re të Kyçjes në mes KOSTT dhe Rrjetit Europian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë (ENTSO –E), e ka dhënë ministrja në detyrë e Ekonomisë, Rozeta Hajdari.

Kanë kaluar 4 vjet që kur është finalizuar dhe testuar linja interkonektive 400 kilovoltëshe mes Shqipërisë dhe Kosovës, mirëpo ajo nuk po mund të shfrytëzohet për shkak të pengesave nga Serbia.

Projekti i ndërtimit të autostradës energjetike Kosovë-Shqipëri kishte kushtuar 33.5 milionë euro vetëm në pjesën e Kosovës dhe financimi i saj ishte bërë nga Qeveria Gjermane. 16.5 milionë dollarë kanë qenë grant, ndërsa 17 milionë euro kanë qenë kredi komerciale afatgjate me kushte kredituese të buta që është dhënë përmes Bankës për Zhvillim (KfW). Ngjashëm, Qeveria Gjermane nëpërmjet KfW-së gjithashtu ka financuar pjesën e linjës në anën e Shqipërisë.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Kosovës (KOSTT) tashmë e ka paguar gati gjysmën e kredisë, ndërkohë që nuk ka arritur të ketë asnjë të hyrë nga linja 400 kilovoltëshe.

Kjo kredi ishte e para për Kosovën pas shpalljes së pavarësisë. Edhe pse është nënshkruar me 23 dhjetor 2009, kthimi i kredisë kishte nisur vetëm në vitin 2016 për shkak të grejs-periudhës që ishte dhënë.

“Kthimi i kredisë ka filluar në vitin 2016, ndërsa shuma e paguar deri me datë 31.12.2019 është 8 milionë euro. Pagesa e kredisë përfundon në qershor të vitit 2024”, thuhet në përgjigjet e KOSTT për KALLXO.com.

Autostrada Energjetike është bllokuar për shkak se Serbia nuk e ka zbatuar marrëveshjen për energji të nënshkruar në Bruksel me Kosovën në vitin 2013. Përkundër disa vendimeve të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë si dhe thirrjeve të BE-së, Serbia nuk e ka zbatuar marrëveshjen për energji duke i shkaktuar humbje milionëshe Kosovës në këtë sektor.

Më herët edhe Ambasada gjermane e ka uruar Kosovën për një marrëveshje të tillë, duke e quajtur moment historik.