Foto: KALLXO.com

Vërshimet në Vushtrri, ndërprehet mësimi për sot dhe nesër

Reshjet e shiut që ndodhën dje në Vushtrri sollën vërshime në këtë qytet.

Komuna mbrëmë shpalli gjendje emergjente pasi lumi Tërstena dhe Podranqa dolën nga shtrati.

Për sot dhe nesër, ditë e premte është marrë vendim që të ndërprehet mësimi, ka konfirmuar drejtori i Arsimit në këtë komunë, Dardan Abazi.

“Ne kemi vendosë që duke pasur parasysh gjendjen e rënduar në një numër të konsiderueshëm të shkollave, vështirësive në transportin e nxënësve dhe mësimdhënëseve në një pjesë të tyre dhe rrezikun për vërshime të tjera që është ende prezent, të ndërprejmë mësimin për sot dhe nesër”- tha ai për KALLXO.com

Abazi tha se vërshimet kanë sjellë dëme në disa shkolla në Vushtrri, kryesisht në oborre dhe hyrje të tyre.

“Ende jemi në vlerësim dhe një komision ad-hoc do të bëjë vlerësimin e dëmeve por gjendje të rënduar kemi në shkollën fillore “Naim Frashëri” në qytet, në paralelet në Studime të Ulët, në dy shkollat e Dumnicës dhe rrezikshmëri në shkollat e Vërrnicës, Mihaliqt, Patniës, etj”- tha ai.

Në një bisedë për KALLXO.com, Bujar Shatrolli pjesë e stafit të kryetarit të Vushtrrisë, tha se situata aktualisht është e qetë por që janë në gjendje gatishmërie.

Ai bëri të ditur se sot është thirrur mbledhja e Shtabit Emergjent të kësaj komune.

Mbrëmë, Komuna e Vushtrrisë u ka bërë thirrje banorëve që jetojnë afër lumit Tërstena dhe Podranqa të evakuohen.

 

Vërshimet në Vushtrri, komuna shpall gjendje emergjente