Foto: KALLXO.com

Vërshimet në Vushtrri, komuna shpall gjendje emergjente

Për shkak të reshjeve të shumta të shiut që kanë ndodhur orëve të fundit, Komuna e Vushtrrisë ka shpallur gjendje emergjente.

Sipas njoftimit të komunës, situata në teren ‘nuk është aspak e mirë sidomos në daljen nga shtrati të lumit Tërrstena’.

Komuna ka ftuar qytetarët të cilët banojnë Afër Lumit Podranqa dhe Terrstena që të përgatiten për evakuim.

“Ju apelojmë që të bëni kujdes të shtuar pasi që orët në vijim mund të jenë kritike sidomos pjesa e Qytetit. Kryetari i Komunës ka marrë vendim për të shpallur gjendje emergjente dhe ka krijuar një Shtab Emergjent i cili ka filluar punën në teren. Ftojmë qytetarët të cilët banojnë Afër Lumit Podranqa dhe Terrstena që të përgatiten për evakuim” – thuhet në njoftim.

Komuna e Vushtrrisë ka publikuar numrat kontaktues: 049-115-559, 044-196-814, 045-398-969.

Të reshurat e shiut sot kanë përkeqësuar situatën në Vushtrri.

Në një dyqan që gjendet afër kësaj rruge, disa qytetarë janë parë duke tentuar ta ndalojnë ujin me disa kova që të mos futet brenda dyqanit.