Rrahja në Liqenin e Vërmicës

Vërmicë, sulmohen tre zyrtarë të Federatës së Peshkatarëve (VIDEO)

Kryetari i Federatës së Peshkatarëve të Kosovës, Milaim Vitia dhe dy zyrtarë të tjerë janë sulmuar fizikisht mëngjesin e sotëm te Liqeni i Vërmicës. Për këtë rast, një person është arrestuar dhe katër të tjerë më pas janë paraqitur në Stacionin Policor.

Vitia ka thënë se sulmi ndaj tyre ndodhi pas inspektimit që kanë bërë në Liqenin e Vërmicës dhe konfiskimit të rrjetave ilegale për zënien e peshkut.

Për rastin, ai thotë se ka njoftuar edhe Policinë e Kosovës, por ata u vonuan në intervenim.

“I kam lajmëruar Policinë nja 10 herë, po nuk kanë ardhur nja një orë. I kam njoftu edhe gjatë rrahjes i kam njoftuar, një orë e gjymë ka bo me ardhë ndihma e shpejtë, me na dhonë ndihmën e parë në vendngjarje” – ka thënë ai për KALLXO.com.

Vitia tha se ka disa muaj që përballen me problemin e njëjtë – peshkimin ilegal – në Liqenin e Vërmicës.

“Që tre muaj ballafaqohemi me rrjeta në Liqenin e Vërmices me rrjeta, me gjëra të paligjshme, që janë të ndaluara nga të njëjtit persona. Pardje kemi konfiskuar rrjeta e anije” – ka thënë Milaim Vitia.

“Mbrëmë, kemi zënë po ashtu rrjeta ilegale nga të njëjtit persona, na qiten kerret në rrugë, na sulmuan. Kam njoftuar policinë që ne e filluam kontrollin në ora 03:00 të natës, në ora 05:15 e kemi njoftuar që e kemi kryer kontrollin, por janë personat duke na përcjellur” – tha ai.

Aktualisht, Vitia tha se dy rojet dhe vetë ai janë në spital duke u trajtuar ndërkaq theksoi se personat që i sulmuan kishin edhe armë me vete.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës në rajonin e Prizrenit.

“Pas orës 06:00 është raportuar për sulm afër Liqenit në Vërmicë. Disa persona të panjohur kanë sulmuar zyrtarët e Federatës së Peshkatarëve të Kosovës” – ka thënë Shaqir Bytyqi, zëdhënës i Policisë në Prizren.

Më tej ai ka thënë se njëri prej të dyshuarave është arrestuar dhe pesë të tjerë kanë qenë në kërkim. Ndërkohë katër prej tyre janë paraqitur vet në Stacionin Policor dhe janë intervistuar nga Policia.

Zëdhënësi i policisë tutje tha se rasti është nën hetim ndërsa viktimave i është ofruar tretman mjekësor.

I pyetur nëse ka pasur vonesa në intervenim nga forcat e rendit, Bytyqi tha se nuk ka ndonjë informacion.