Kapja e rrjetave ilegale të peshkimit në Liqenin e Batllavës më 21.03.2024

Deri në qershor peshkatarët mund të peshkojnë, por janë të obliguar t’i lirojnë menjëherë

Peshkatarët në Kosovë do t’u ndalohet peshkimi me rrjetë, deri më 30.05.2024. Ata do të lejohen të peshkojnë, por janë të obliguar që t’i lirojnë pastaj përsëri.

Ky është vendimi i Federatës së Peshkatarëve Sportiv Rekreativ të Kosovës (FPSRKS), i cili është marrë në mbledhjen e bordit ekzekutiv të kësaj federate, më 06.04.2024.

Në një bisedë për KALLXO.com, kryetari i FPSRKS, Milaim Vitia e ka konfirmuar se është marrë vendimi për ndalimin e peshkimit me rrjetë në territorin e Kosovës, për shkak të shumimit të peshkut, i cili sipas tij ndodhë deri në muajin qershor, varësisht nga llojet e tyre.

“Nga data 08.04.2024 të bëhet ndalesë e të gjitha llojeve të peshkut në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Kjo ndalesë vazhdon deri më datën 30.05.2024. Arsyeja e ndalesës është shumimi i peshkut me faza. Peshkatarët kanë të drejtë vetëm të peshkojnë dhe të lëshojnë pa prezencën e rrjetës mbledhëse” – thuhet në vendimin e FPSRKS-së.

Vendimi i Federatës së Peshkatarëve të Kosovës për mospeshkimin me rrjetë, Foto: FPSRK Kosova/Facebook

Sipas Vitisë, ata e kanë parë gjendjen në terren dhe kanë vlerësuar se nga 3,000 peshkatarë që janë të regjistruar në Federatë, për secilin prej tyre zënia e një sasie peshkë të bëhet pasi të shumohen.

“Duke parë terrenin edhe tash e kemi qit vendim që mos t’i zënë me mijëra kilogramë (peshk) në këtë muaj, se për çdo ditë t’u dal në teren secili peshkatarë 5kg dhe 7kg (peshk), e kemi vlerësuar se 3,000 peshkatarë, gjithë atë peshkë me marrë, le të shumohet peshku, tani le të zinet” – tha Vitia për KALLXO.com.

Se a ishin pajtuar këta peshkatarë që janë pjesë e Federatës, për moszënien e peshkut deri në muajin qershor 2024, Vitia ka thënë se shumica janë pajtuar.

Vitia ka treguar se kanë një numër rojesh me të cilët mendojnë ta monitorojnë respektimin e këtij vendimi dhe të marrin masa ndaj personave që janë pjesë e Federatës së Peshkatarëve e nuk e respektojnë atë.

“Federata e peshkatarëve i ka rreth 40 roje në teren edhe shoqatat sidomos në nivel të komunave i kanë nga 4, 5, 7 (rojtarë)… Ne i kemi të drejtat, na e suspendojmë nga leja e peshkimit, ia konfiskojmë lejen e peshkimit dhe ia ndalojmë peshkimin për një vit deri në katër vjet” – ka theksuar ai.

Kurse, për qytetarët që nuk janë pjesë e Federatës dhe që nuk e respektojnë vendimin, ndaj tyre Vitia tha se do të ketë kallëzim penal.

“Në bazë të Prokurorisë, në momentin që e çojmë kallëzimin penal, ia ndalojmë atij në territorin e Kosovës mos me peshku as mos me u pajis me leje të peshkimit” – ka shtuar Vitia.

Si përfundim, Vitia ka bërë thirrje te të gjithë peshkatarët e Kosovës që ta respektojnë vendimin.

Së fundmi, KALLXO.com ka raportuar më 22.03.2024, se Federata e Peshkatarëve të Kosovës në mbrëmjen e 21 marsit 2024 ka ndërmarr një aksion për kapjen e rrjetave ilegale të peshkimit në liqenin e Batllavës, në pjesën e Orllanit.