Vendosja e stikerave 'SRB' në veturat me targa të Kosovës, flasin nga Prokuroria

Mbrëmë në Mitrovicën e Veriut, veturave me targa të Kosovës iu janë vendosur disa stikera.

Në bazë të fotove të dërguara në redaksinë e KALLXO.com shihet se këta stikera janë vendosur me qëllim që targat RKS të duken si targa të Serbisë, SRB.

Lidhur me rastin, KALLXO.com ka kontaktuar me zëdhënësin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.

Ai ka thënë se për momentin nuk ka ndonjë person të dyshuar dhe se janë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës duke e hetuar rastin.

“Për momentin nuk ka ndonjë të dyshuar. Jemi në koordinim me Policinë me pa çka do të veprojmë më tutje”, ka thënë ai.

Preteni tregoi se në mëngjesin e sotëm disa persona nga pjesë të ndryshme të Mitrovicës së Veriut, janë ankuar në Polici pasi të njëjtët kishin gjetur stikera të vendosur në veturat e tyre.

“Në mëngjes janë ankuar disa persona që kur kanë shku te veturat i kanë pa se i kanë stikerat, ka ndodhë në pjesë të ndryshme”, tha Preteni.

Rastin për KALLXO.com e kishte konfirmuar edhe zëvendës drejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Besim Hoti, i cili e ka konfirmuar se ka ndodhur një gjë e tillë.

Ai kishte treguar se Policia kanë dal në vendin e ngjarjes dhe janë duke kryer hetimet e nevojshme.

“Është raportuar për rastin, Policia është në vendin e ngjarjes. Ende nuk kemi ndonjë raport diçka, pasi të kthehen Policia kontaktojmë me prokurorin dhe shohim se çka do të bëhet”, kishte thënë Hoti.

Veturave me targa të Kosovës në veri të Mitrovicës u vendosen stikera ‘SRB’ – FOTO