Veturave me targa të Kosovës në veri të Mitrovicës u vendosen stikera 'SRB' - FOTO

Mbrëmë në Mitrovicën e Veriut, veturave me targa të Kosovës iu janë vendosur disa stikera.

Në bazë të fotove të dërguara në redaksinë e KALLXO.com shihet se këta stikera janë vendosur me qëllim që targat RKS të duken si targa të Serbisë, SRB.

KALLXO.com ka kontaktuar me zëvendës drejtorin e Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Besim Hoti, i cili e ka konfirmuar se ka ndodhur një gjë e tillë.

Ai ka treguar se Policia kanë dal në vendin e ngjarjes dhe janë duke kryer hetimet e nevojshme.

“Është raportuar për rastin, Policia është në vendin e ngjarjes. Ende nuk kemi ndonjë raport diçka, pasi të kthehen Policia kontaktojmë me prokurorin dhe shohim se cka do të bëhet”, ka thënë Hoti.

 

Kujtojmë se më 21 prilli i 2022 ka qenë afati i fundit për arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë për targat e automjeteve.

Po atë ditë, Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit me palën serbe dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Serbi-Kosovë, Mirosllav Lajçak, kishte thënë se ka dështuar arritja e një marrëveshje pasi nuk ka pasur gatishmëri nga Serbia për një marrëveshje për targat.

“Jo, fatkeqësisht nuk mund të jap lajm të mirë. Fatkeqësisht ka zero gatishmëri nga pala serbe”, tha ai.

Bislimi kishte thënë se nuk ka pasur asnjë propozim nga grupet punuese, duke fajësuar Serbinë për mungesë të gatishmërisë apo përzgjedhjen e një opsioni më të preferuar.

Zv.kryeministri kishte theksuar se nuk do të ketë asnjë veprim të menjëhershëm nga Kosova dhe se gjithçka do të jetë në funksion të rendit dhe ligjit.

“Tani është vendim politik që do të marrin por nuk do të ketë asnjë veprim të menjëhershëm, gjithçka do të jetë e përgatitur mirë, në funksion të rendit dhe ligjit. Ne do të trajtojmë lirinë e lëvizjes në të njëjtën mënyrë siç e trajton edhe pala serbe. Ndërkaq për tabela që kanë qenë funksionale do të ofrohet një opsion si do të kalojmë te targat normale”, tha ai para mediave.

Besnik Bislimi: Nuk ka marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave

Nuk ka marrëveshje për targat, në Bërnjak e Jarinjë vazhdohet puna njëjtë