Krejt çka ndodhi në seancën ndaj Dibran Hoxhës, i akuzuar për vrasje në 'Kobra City'

Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra”, Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badallaj, janë ulur në bankën e të akuzuarve për t`u përballur me akuzat lidhur me vrasjen e ndodhur në afërsi të lokalit ‘Cobra City’ në Prizren.

Në seancën e së enjtes (07.03.2024) secili prej të akuzuarve u deklaruan të pafajshëm.

Ndaj Dibran Hoxhës rëndojnë akuza për vrasjen e rëndë të viktimës Visar Cengu. Kurse katër të akuzuarit e tjerë akuzohen për pjesëmarrje në rrahje, manipulim me prova dhe armëmbajtje pa leje.

“Absolutisht, për asnjërën hiç! Kisha pasë qef që vetëm njëra prej provave që i ka cekë ajo, figuron dora jeme apo diçka, mos e leni për nesër, qetu jepne të përjetshme”- u deklarua Dibran Hoxhaj.

Seanca ndaj Kobrës u përcoll me reagime të ashpra nga i njëjti, çka rezultoi në përjashtimin e tij prej sallës së gjykimit.

Sjellja e të akuzuarit Hoxhaj erdhi pasi u deklarua për fajësinë, duke aluduar rreth një pajisje për regjistrimin e videos (DVR).

“Zotni, ku e keni DVR-in? Keni me pjellë DVR-in, që 16 muaj jam t`u majtë burg. U kry! Keni me pjellë, unë këtu nuk e njoh kërkon hiç, që 16 muaj po mbaj burg, keni me pjellë DVR-in. Çomëni ndaq në burg, ndaq kudo, keni me pjellë!”- tha i akuzuari Kobra.

Mirëpo, pa Kobrën gjykimi u zhvillua për vetëm pak qaste, deri sa gjyqtari i rastit Kujtim Krasniqi udhëzoi kthimin e tij në sallë.

Aktakuza lidhur me këtë rast është ngritur më datë 02.02.2024 nga prokurorja speciale Merita Bina- Rugova.

Dosja e Prokurorisë

Dibran Hoxhaj po akuzohet për vrasjen e rëndë të viktimës Visar Cengu më 03.01.2023 në afërsi të lokalit të tij “Cobra City” në Prizren.

Sipas aktakuzës vrasja ka ndodhur për motive të ulëta të demonstrimit të forcës së paskrupullt për të gjithë ata që e kundërshtojnë atë.

Dosja thotë se deri tek vrasja çoi një faturë e lartë në lokal e cila rezultoi me rrahje mes punëtorëve të lokalit dhe viktimës e të dëmtuarve Rutgen Tsyatkova dhe Arben Basha. Këta të fundit, sipas dosjes, kanë hyrë në veturë për tu larguar por në atë kohë arrin Kobra i cili ishte njoftuar për për ngjarjen.

Kështu, në dosje thuhet se vetura me viktimën ka qenë duke u nisur e në atë moment Kobra e ka hapur derën e shoferit ku me pistoletë e ka goditur të dëmtuarin Rutgen Tsyatkova.

Më pas, dosja thotë se i akuzuari Hoxhaj ka shtënë edhe katër herë, me ç’rast ka goditur viktimën i cili ka qenë ulur në pjesën e pasme të makinës, i cili rrugës për në spital ka ndërruar jetë.

Për këtë, prokuroria e ngarkon me veprën penale të vrasjes së rëndë si dhe për armëmbajtje pa leje.

Ndërkaq, të akuzuarit Roland Susuri dhe Burim Mazreku akuzohen për manipulim me prova.

Roland Susuri, Jetmir Badallaj dhe Arben Vezaj akuzohen për pjesëmarrje në rrahje. Ndërsa Roland Susuri dhe Jetmir Badallaj po akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje.

Raportimet e kallxo – LINK