Vdes një 44 vjeçar nga pickimi i rriqrave në Malishevë

Një person ka vdekur pasi është pickuar nga rriqrat në Komunën e Malishevës.

Sipas njoftimit të komunës, kjo është vdekja e parë pas gjashtë viteve kur kjo komunë kishte shënuar rastin e fundit të vdekjes nga pickimi i rriqrave.

Në njoftimin e komunës thuhet që arsyeja e vdekjes së pacientit 44 vjeçar është konstatuar nga Shërbimi Spitalor Universitar i Kosovës.

Në njoftim tutje thuhet që pacienti nuk është trajtuar në Klinikën Infektive, por në një klinikë tjetër dhe ka pasur nevojë për oksigjeno-terapi.

“Bazuar në të dhënat e deritanishme, tashmë i ndjeri, edhe pse i prekur me EHKK, nuk është trajtuar në Klinikën Infektive, por në një klinikë tjetër dhe në momentet e fundit të jetës, ka pasur nevojë edhe për terapi me oksigjen. Lidhur me rastin sot është mbajtur një takim urgjent i shtabit komunal për EHKK, si dhe çështja është trajtuar edhe në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Drejtorëve”. Thuhet në njoftimin e komunës.