Vdekjet e punëtorëve

Vdekja e punëtorit në vendin e punës në Gjilan, Prokuroria nis hetime

Prokuroria e Shtetit ka bërë të ditur se ka iniciuar hetime për rastin e vdekjes së një punëtori në vendin e punës, të hënën me 6 nëntor në Gjilan.

Sipas Prokurorisë në Gjilan, rasti është iniciuar si ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’, ndërsa deri më tani nuk është arrestuar asnjë person.

“Prokurori kujdestar ka dhënë urdhër që trupi i pa jetë i viktimës të dërgohet për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë dhe ka autorizuar policinë që të ndërmarrin veprime tjera hetimore në lidhje me këtë çështje” – kanë bërë të ditur nga Prokuroria e Gjilanit.

KALLXO.com ka kontaktuar me shkrim edhe Inspektoratin e Punës në lidhje me atë se çka është konstatuar në vendin e ngjarjes, por deri në publikimin e shkrimit, Inspektorati nuk ka kthyer përgjigje.

Gjithashtu, edhe kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikçi nuk ka qenë i qasshëm përmes telefonit.

Në ndërkohë në raportin e Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja tragjike ka ndodhur të hënën rreth orës 11:40, derisa tashmë i ndjeri ishte duke punuar, në vendin e punës ka pësuar lëndime trupore, ku si pasojë ka gjetur vdekjen në Spitalin e Gjilanit.