Foto: Atdhe Mulla

Vazhdon kërkimi tek hotel 'Mira Mare' në Durrës, dyshohet për një trup poshtë rrënojave

Pas tërmetit tragjik me magnitudë 6.4 rihter, që goditi Shqipërinë, operacioni i kërkim-shpëtimit në qytetin e Durrësi vijon ende nën rrënojat e hotel Mira Mare.

Sipas report.tv, në rrënojat e hotel Mira Mare dyshohet se gjendet ende një trup.

Fillimisht punimet u ndërprenë por më pas një grup kroat bëri kërkime me qen nuhatës, ku mesa duket kanë dhënë sinjal për një tjetër poshtë rrënojave. Grupet që po punojnë për kërkim shpëtimin tek hotel Mira Mare, janë ato të Serbisë dhe të Malit të Zi. Deri më tani numri i viktimave që humbën jetën nga tërmeti është tragjik, plotë 50 persona.

Kjo është e vetmja pikë ku po zhvillohen kërkimet pasi pak pas mesnate u nxorën edhe dy trupat e fundit të pajetë nga rrënojat e dy ndërtesave të shembura në Durrës, atë të Ilir Lalës në vilën 4 katëshe në Kënetë të Durrës, aty ku tragjedia goditi më fort me vdekjen e 8 anëtarëve të një familjeje, dhe të Xhuljeta Gjonajt në pallatin tek “2 Gjelat” po në qytetin bregdetar.

Në operacionet e kërkim shpëtimit morën pjesë grupe ekspertësh të huaj të ardhura nga Kosova, Italia, Greqia, Zvicra, Rumania, Mali i Zi e Serbia por dhe nga  vende të tjera, të cilat ishin të pajisur me mjete dhe me logjistikë për t’iu ardhur në ndihmë personave poshtë rrënojave.

Tërmeti në Shqipëri la të vdekur mbi 40 persona ndërsa 600 të tjerë kanë pësuar lëndime e mijëra kanë mbetur të pastrehë.