Foto: KALLXO.com

Vazhdon bllokimi i rrugëve ilegale në Jarinjë

Policë të shumtë janë parë në asistencë të një makinerie të rëndë dhe një bolduzeri i cili po bën bllokimin e disa rrugëve ilegale në veri të Kosovës.

Policia e Kosovës gjatë ditës ka njoftuar se janë duke bërë bllokimin e disa rrugëve ilegale për të parandaluar aktivitetet kriminale dhe kontrabandën.

Sipas policisë, ka qenë kërkesa e Doganës së Kosovës që të mbyllen këto rrugë.

Në anën tjetër KALLXO.com raportoi sot edhe për bllokimin e rrugëve ilegale në fshatin Sharpell në Jarinjë.

Në këtë lokacion përveç zhavorrit të vendosur në rrugë është krijuar edhe një gropë e madhe e cila pamundëson qarkullimin dhe bën prerjen e rrugës.

Ky aksion i policisë e doganës ka nisur që në mëngjes.

Ekipi i KALLXO.com gjatë ditës ka vizituar fshatin Sharrpel, i cili është në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë, nga e cila ka sjellë pamjet e rrugës tani më të bllokuar.

Përveç bllokimit, në rrugën në fjalë janë vendosur edhe forcat e policisë së Kosovës, të cilët janë duke qëndruar atje.

Që nga mëngjesi janë bllokuar rrugët ilegale që janë shfrytëzuar për kontrabandë e që përfshijnë zonat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë si dhe në zonën kufitare që lidhet me Maqedoninë e Veriut.

Ekipi i KALLXO.com ka raportuar se për bllokimin e këtyre rrugëve janë përdorur makineri të rënda duke hedhur zhavorr në mes të rrugës si dhe duke hapur gropa.

Gjatë ditës Policia ka dhënë detaje lidhur me rastin.

Policia ka thënë se në orët e hershme të mëngjesit ka realizuar një operacion policor në zonën kufitare të rajonit të Prishtinës (Podujevë), Mitrovicës Veriore (Leposaviq, Zubin Potok) si dhe në zonën kufitare që lidhet me Republikën e Maqedonisë së Veriut (Viti, Gjilan), që kishte si qëllim parandalimin dhe luftimin e kontrabandës dhe dukurive tjera kriminale.

Në një komunikatë për media të Policisë ishte thënë se, në këtë operacion, policia ka pamundësuar shfrytëzimin e rrugëve ilegale nga ana e personave që dyshohet se me mjete të ndryshme kanë shfrytëzuar këto rrugë ilegale që lidhin Kosovën me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, për kryerje të kontrabandës dhe aktivitete tjera kriminale.

Policia në njoftim kishte theksuar se, në këtë operacion policor ka përdorur të gjithë mekanizmat ligjor, autorizimet dhe kompetencat policore, pajisjet dhe njësitet e ndryshme policore për të zbatuar ligjet pozitive si dhe mbrojtjen e rendit Kushtetues.