Ushtria e Kosovës vazhdon kërkim-shpëtimin në Shqipëri

Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë vazhduar gjatë gjithë natës së mbrëmshme kërkim-shpëtimin në zonat e prekura nga tërmeti në Shqipëri.

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka bërë të ditur se operacioni po vazhdon edhe sot.

“Njësitë e specializuara të Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kanë vazhduar gjatë tërë natës pa ndërprerë e po vazhdojnë edhe tani me operacionet e kërkim-shpëtimit në zonat e goditura nga tërmeti në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e ministrisë në Facebook.

Deri më tani,  numri i viktimave  nga tërmeti i mëngjesit të së martës në Shqipëri ka shkuar deri në  27 persona si dhe 650 të tjerë kanë mbetur të lënduar.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme si dhe ditë zie.

Ndërkohë edhe në Kosovë sot është ditë zie, pas vendimit të presidentit Hashim Thaçi, një ditë më parë.

Arrin në 27 numri i viktimave nga tërmeti