Foto: Denis Sllovinja - KALLXO.com

Urat e pasigurta për qarkullim në tri fshatra të Lipjanit - VIDEO

Urat mbi lumin “Sitnica” dhe degët e tij, në tri fshatra të komunës së Lipjanit nuk janë të sigurta për qarkullim, pasi ato nuk kanë rrethoja mbrojtëse dhe ka prej tyre që janë dëmtuar nga vërshimet.

Banorët e fshatrave, Banullë, Akllap dhe Gadime tregojnë për rreziqet nga gjendja e urave.

Vetëm në fshatin Banullë ka tri ura, të cilat nuk kanë rrethoja mbrojtëse dhe shfrytëzohen nga banorët e fëmijët e këtij fshati.

Këto tri ura ndodhen në rrugën “Freskia” dhe sipas banores Valentina Selimi, ato nuk kanë pasur asnjëherë rrethoja.

“Sa kam qenë unë këtu si vendase e fshatit Banullë, nuk kemi pasur kurrë asnjëherë rrethoja, unë mendoj që është e rrezikshme për shkak të kalimit të fëmijëve që shkojnë nëpër shkolla” – ka thënë Selimi për KALLXO.com.

Kurse, një urë tjetër në afërsi të Shpellës së Gadimes, në fshatin Gadime e Ulët, që ndodhet në rrugë rajonale pasi ndërlidhet me komunën e Gjilanit, është shumë e ngushtë dhe i mungojnë rrethojat në njërën anë.

Nijazi Tasholli, banor në këtë fshat ka thënë se, para 4-5 vitesh në këtë urë i kishte nxjerrë 3-4 vetura nga uji, pasi kishin rënë në lumë.

Lidhur me këtë urë ka folur edhe banori tjetër, Mexhid Asllani, i cili ka thënë se në këtë urë nuk ka mundësi të kalojnë dy vetura.

“Këtu nuk shkon muaji pa pasur ndonjë aksident se është ngushticë shumë e madhe për me kalu edhe është rrugë që ka qarkullim shumë të madh, është rrugë që është e lidhur me komunën e Gjilanit, ka qarkullim shumë edhe është problematike, kjo duhet gjithqysh të zgjerohet” – është shprehur Asllani.

Asllani ka shtuar duke thënë se, për shkak të qarkullimit të madh të nxënësve që e shfrytëzojnë këtë urë për të shkuar në shkollë, ajo është e rrezikshme andaj duhet të ketë rrethoja.

Në anë tjetër, ura që ndodhet në rrugën “Musli Gashi”, në fshatin Akllap, është dëmtuar nga vërshimet.

Zëdhënësja e Komunës së Lipjanit, Hyra Bytyqi, ka bërë të ditur se kanë bërë një ndërhyrje në këtë urë.

“Ura në fshatin Akllap është ndërtuar në vitin 2013, mirëpo nuk është bërë me kontratë të komunës, ndërsa sa i përket riparimit të po kësaj ure, momentalisht është bërë vendosja e gypave të betonit për tu bërë e kalueshme, pastaj do shofim mundësitë buxhetore për ndërtimin e urës së re” – ka shtuar Bytyqi.

Nga vizita e KALLXO.com, është parë se ura nuk është rregulluar plotësisht.

Foto: Denis Sllovinja – KALLXO.com

Kjo urë, sipas banorit në afërsi të kësaj ure, Faton Gashi, është në këtë gjendje për shkak se është dëmtuar më herët, për një kohë të gjatë dhe bazën nën urë e ka bartur shiu.

Gashi ka treguar se e kanë lajmëruar komunën për gjendjen e urës, dhe sipas tij, banorët e prekur nga kjo urë nuk kanë rrugë tjetër alternative për të qarkulluar.

“Ne non-stop këtej kalojmë, ne s’kemi ku të kalojmë, tjetër rrugë s’kemi, domethënë unë personalisht kam qenë dy ditë ose tri tash po harroj, i bllokuar domethënë, s’kam mund me qarkullu… mu ka dashtë me marr një veturë me huazu me kry punë tjera” – tha Gashi.

Ndërkohë, banorët bëjnë thirrje që këto ura të jenë të sigurta, duke iu vendosur rrethojat dhe duke rregulluar infrastrukturën e tyre.

“Jo vetëm komuna, po kush ka mundësi me ndihmu me zgjeru këtë urë se kjo është urë e nevojshme, jo vetëm për banorët e fshatit… zgjerimi është i nevojshëm gjithqysh edhe rrethoja e urës” – ka bërë thirrje Asllani.

KALLXO.com i ka dërguar pyetje komunës, edhe për urat në fshatrat Banullë dhe Gadime e Ulët, mirëpo nuk ka pranuar përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Qyteti i Lipjanit i ka rreth 70 fshatra dhe rreth 50.000 banorë.

Në këtë qytet rrjedhë kryesisht lumi Sitnica dhe nëndegët e tij.