UP-ja organizatore e garës për rekordin e radhës në 'Guinness' të zhonglerit Agim Agushi

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, në bashkëpunim me zhonglerin Agim Agushi, paralajmëruan organizimin e garës së radhës për futjen në Librin e Rekordeve “Guinness”.

Kjo garë do të zhvillohet me 10 maj në platon e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës.

Dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit në UP, Musa Selimi ka thënë se janë ndjerë të obliguar që një ish studenti t’ia ofrojnë mbajtjen e një gare të tillë nën ombrellën e Fakultetit.

Ai tutje tregoi se kjo garë pritet të mbahet me 10 maj ku do të bëhet sfidimi i rekordit të ri në pasimin e topit me kokë në çift bashkë me Bujar Ahmetin.

“Do të arrihet një rekord i ri në këtë disiplinë. Lokacioni është Biblioteka Kombëtare e Kosovës që do të jenë dy anëtarë të jurisë dhe do të incizohen dhe do t’iu dërgohen atyre. Do të ketë edhe një çmim material sepse kërkesa i është bërë Këshillit Drejtues të UP-së dhe shpresojmë që do ta miratojnë”, ka thënë dekani Selimi.

Zhongleri, Agim Agushi tha se këtë herë do të sfidohet rekordi i tij i fundit në disiplinën e pasimit në çifte bashkë me nipin e tij Bujar Ahmeti.

Ai tregoi se rekordi aktual në këtë disiplinë është 30 minuta e 11 sekonda, të cilin e kishte arritur me djalin e vëllait, Leotrim Agushi.

“Prapë unë për së dyti me djalin e motës Bujar Ahmeti i kemi hyrë kësaj gare sepse libri i Guinness-it kërkon rekorde të reja. Gjatë takimit me rektorin, prorektorin dhe dekanin kemi arritur në një marrëveshje që UP mund të organizojë diçka të tillë dhe që Universiteti i Prishtinës të hyjë në Librin e rekordeve”, ka thënë Agushi.

Ai sqaroi tutje se certifikimi në rast se e thyen rekordin mund të bëhet pas një muaji e gjysmë.

Për Agushin, rekordi që presë ta thyejë me 10 maj nuk është i vetmi, ai tregon që është duke pritur konfirmimin për të thyer edhe një tjetër rekord.

“Do ta thyejë rekordin aktual për veshje dhe zhveshje të fanellës duke luajtur me top pa ndërprerë. Meqenëse nuk ka dalur ende askush t’i sfidojë rekordet e mia, po i sfidojë unë. Për Kosovën Libri i Guinness-t ka qenë tabu dhe e di sa probleme kam pasur derisa kam siguruar rekordet në mënyrë private. Çmim special për fituesit e Librit të Guiness-it nuk ka në Kosovë sepse mungon vullneti për shpërblime sado modeste. Nga unë është ana shpirtërore ajo që më ka shtyrë t’i arrijë këto rekorde e jo ajo materiale”, ka thënë tutje Agushi.

Mes tjerash Agim Agushi tha se synon që njërin nga rekordet t’i arrijë në ndërtesën Burj Khalifa në Dubai, mirëpo ka hasur në vështirësi.

“Leja mund të më jepet nëse kërkohet nga presidenti dhe kryeministri i Kosovës, vetëm në këtë mënyrë. Ata kanë kërkuar që t’u bëhet një kërkesë zyrtare nga shteti i Kosovës që të ma sigurojnë këtë ndërtesë për të thyer një rekord të ri. Pengesa është në Kosovë sepse nuk po bëhet kërkesa zyrtare nga ana shtetërore, ata më kanë thënë që nuk të lejohet ndryshe pos përmes kërkesës zyrtare”, ka sqaruar ai.

Prorektori për mësim dhe çështje për studentë, Hysen Bytyqi tha se rektori Marjan Demabahskë me dekanin e Fakultetit Fizik dhe Sportit kanë mbështetur iniciativën e Agushit.

Ai tregoi që të ka kohë që është punuar në këtë drejtim dhe se me datën 10 maj do të mbahet një sfidë botërore.

“Për mua është e veçantë dhe e jashtëzakonshme se ky lloj motivimi dhe kjo lloj pune që z. Agushi e ka realizuar do të jetë motivim shtesë, se me një punë dhe angazhim të mirëfilltë mund t’i tregohet botës se si prej një vendi kaq të vogël mund të dalin njerëz të mëdhenj. E uroj për përkushtimin e tij, e falënderojë që e ka zgjedhur bashkëpunimin me Universitetin e Prishtinës”, ka thënë Bytyqi.

Ai shtoi se kjo ngjarje do të jetë motivim për studentët dhe profesorët e UP-së të cilët do të rrugëtojnë së bashku në këtë sfidë.

“Universiteti i Prishtinës me buxhetin e saj do ta përkrahë këtë organizim. Nuk kemi skema të tilla por prapë se prapë mbështesim ish studentët tanë”, shtoi Bytyqi.

Agim Agushi aktualisht ka pesë rekorde të shënuara në librin e rekordeve “Guinness”, për goditjen e topit me kokë në pesë pozita të ndryshme.

Rekordet e fituara nga Agim Agushi