Foto - Dita Boterore e Popullsise

Ulet numri i lindjeve e rritet migrimi në Kosovë

Sikurse vendet e tjera të Ballkanit, edhe Kosova përballet me migrim të lartë, shpopullim të zonave rurale. Sot, në Ditën Botërore të Popullsisë u bë thirrje që të rinjtë kosovarë të planifikojnë jetën në Kosovë.

Gjatë vitit 2020 në Kosovë ra numri i lindjeve ndërsa u rrit numri i vdekjeve. Këto ishin konkluzionet e prezantuara në rastin e shënimit të Ditës Botërore të Popullsisë.

Visare Mujko- Nimani, udhëheqëse e Zyrës së Fondit për Popullsi të Kumbeve të Bashkuara (UNFPA) tha se si me pandeminë COVID-19 ka ndryshuar numri i lindjeve në botë duke pasur kështu rënie të ndjeshme. Për Nimanin, edhe Kosova bën pjesë në shtetet që kanë pësuar ulje të natalitetit e kjo për të mund të shpjegohet edhe me faktin e dëshirës për emigrim të të rinjve kosovarë.

“Edhe Kosova sikurse Ballkani, po përballet me migrimin, dhe institucionet duhet të kenë kujdes që të rinjtë kosovarë të planifikojnë familjen e tyre në Kosovë. Zonat rurale po shpopullohen. Njerëzit në mbarë Evropën thonë se duan dy fëmijë, por shumë prej tyre mbesin me një ose pa fëmijë”, ndër të tjera tha ajo.

Në anën tjetër, kryetarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Fatmire Kollaçku tha se pandemia COVID-19 ka ndikuar në rënien e lindjeve, por sipas saj, qeveria e vendit po punon që të kujdeset për mirëqenien e qytetarëve.

“Ne duhet të jemi shoqëri që çdo ditë duhet ta japë prova për përmirësimin e saj e sidomos në sfidat si keqmenaxhimi i parasë publike. Sado që kemi qenë të varfër, ne kemi qenë edhe të vjedhur, mendoj që qeveria dhe mazhonaca do të krijojnë kushte për të rinjtë që të krijojnë familje këtu”, tha Kollçaku.

Ndërkaq Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson, foli më shumë për popullatën si aset dhe pjesë e rëndësishme e identitetit të një vendi. Ajo ndau shembuj të ndryshëm se si vendet nordike si Suedia kanë zhvilluar politika të veçanta prindërimi duke mundësuar kështu që çifti të ketë mundësinë të shijojë kohën me fëmiun po aq sa edhe të mos pengohet nga puna për këtë gjë, e sidomos prindërit-nëna.

Kurse nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, zëvendëskryeshefi ekzekutiv Ilir Berisha, tregoi se si momentalisht agjencia është e angazhuar në projektin e regjistrimit të popullsisë, si projekti më i madh i grumbullimit të  të dhënave në nivel vendi.

“Bëjmë edhe regjistrimin e popullsisë ku nxjerrim një numër të madh të treguesve demografik, social ekonomik. Aktualisht ASK është e angazhuar në projektin e regjistrimit të popullsisë, por për shkak të COVID-19, është shtyrë”. Tha ai.