UEFA pritet të nis procedura disiplinore ndaj Rumanisë

Në ditët në vijim, shtëpia e futbollit evropian, UEFA do të hapë një dosje të jashtëzakonshme pas incidenteve të ndodhura mbrëmë në duelin mes Rumanisë dhe Kosovës në Bukuresht, raporton gazeta spanjolle Mundo Deportivo.

Ndeshja u ndërpre për rreth një orë pasi lojtarët e kombëtares së Kosovës u larguan nga fusha në minutën e 19-të e ndeshjes, kur tifozët rumunë filluan të thërrisnin “Serbi, Serbi!’” që pasuan edhe me një pankartë ‘Kosova është Serbi’.

Rumania është një nga vendet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Sipas Mundo Deportivo, duhet të pritet për të ditur përfundimet e UEFA-s, por Federata Rumune është e ekspozuar ndaj sanksioneve të ashpra.

Neni 11 i Kodit Disiplinor të UEFA-s thotë se shoqatat kombëtare janë përgjegjëse për “ndërprerjen dhe braktisjen e fushës”.

Për më tepër, neni 14 në lidhje me aktet raciste thotë qartë se “nëse një ose më shumë anëtarë të një federate fyen ose sulmojnë për shkak të origjinës së tyre racore, fetare etj.”, ata janë të ekspozuar ndaj mbylljes së pjesshme të stadiumit të tyre përveç gjobës. Por vetë shkrimi lë të hapur mundësinë e mbylljes totale të fushës për një ose më shumë ndeshje. Madje edhe humbjen e ndeshjes.

Ndërkaq neni 16 i UEFA-s për rendin dhe sigurinë e mban federatën lokale përgjegjëse për sjelljen e tifozëve të saj, ndër të tjera, edhe për përdorimin e “gjesteve, fjalëve apo çdo metode tjetër për të transmetuar një mesazh provokues” dhe veçanërisht të atij që ka ngjyrim politik, ideologjik apo fetar.

Kështu, Rumania është e ekspozuar ndaj një sanksioni të ashpër nga UEFA dhe do të shihet se çfarë qëndrimi do të mbajë Komisioni Disiplinor për vendimin e lojtarëve kosovarë për të lënë fushën e lojës.

Kosova humbi dje ndeshjen ndaj Rumanisë me rezultat 2:0.

Sulmuesi Vedat Muriqi u ndëshkua me karton të kuq, pasi mori paraprakisht dy kartona të verdhë.