U mbajt edicioni i tretë i “Let’s Talk” në Kosovë

Organizata “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve” ka organizuar sonte edicionin e tretë të “Let’s Talk”. Folës në këtë edicion ishin Qendresa Ademi, Elmira Pajaziti, Berat Thaçi dhe deputeti Erxhan Galushi.

Elmira Pajaziti nga komuniteti egjiptian ka folur për sfidat në jetën e saj.

“Nëse bota kish me përfundu për mu kish me qenë mosha 4-vjeçare, atëherë kur nëna vendosi me na lënë. E pyeta veten Emire a ke dëshirë me u viktimizu apo me i arritë gjërat pavarësisht sfidave të jetës? Nëse topi për gjeneratën time ka qenë i rrumbullakët, për mua ka pasë konotacion ndryshe. U punësova si edukatore në një kopsht në Gjakovë. Llogaritet si një qendër e para në Ballkan e cila udhëhiqet nga një vajzë prej komunitetit egjiptian. Kjo falë organizatës “VORAE” që ma besuan idenë time që me kriju një kopsht të tillë. Ne kemi arritë me i pranu rreth 300 fëmijë”- tha ajo.

Pajaziti dha mesazh të qartë gjatë fjalimit: Të gjithë duhet të gjejnë motivimin nga brenda tyre.

“Mundeni me pyet ku e kam marrë këtë motiv? Nuk e kam marrë motivin prej askujt, por jam motive nga vetja”- tha ajo.

Deputeti Erxhan Galushi, folës në “Let’s Talk”, tregoi për vështirësitë gjatë shkollimit të tij e sfidat financiare.

“Gjatë studimeve të mia kam pasë disa sfida të mëdha financiare, kur prindi im ka qenë i papunësuar për 2-3 vite dhe në atë kohë ne jetonim nga të ardhurat e tij. Por megjithatë e kalova atë sfidë, falë shoqërisë që kam pasë, falë aktivizimit në organizata joqeveritare. Në atë kohë unë është dashtë me u ngritë, por unë u ndala dhe u fokusova se si me u punësu dhe me sjellë të ardhura për familjen time. E mbarova me sukses fakultetin dhe pastaj edhe prindi është kthyer në punë”- tha ai ndër të tjera, duke theksuar se njerëzit nuk duhet të ndalen asnjëherë së mësuari.

Qendresa Ademi, sociologe me profesion, tregoi barrierat gjinore gjatë rrugëtimit të saj jetësor.

Ademi tha se i është dashur shumë punë për të depërtuar në fushën e politikës, duke u përballur me sharje e ofendime e kjo vetëm pse është grua.

Ademi tha se “kam mendu që nuk kam me pasë mbështetje nga burrat, por në fakt nuk kam pasur nga gratë”.

Folësi tjetër i “Let’s Talk”, i organizuar nga “VORAE”, ishte Berat Thaçi.

Thaçi në fjalimin e tij tha se “është i lumtur që ndryshimet po i sheh si shoqëri në tërësi e jo si individ”.

I pranishëm në këtë event ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.