Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Trajtimi i dhunës në familje, a ka humbur besimi në institucione?

Raste të shumta e të ndryshme raportohen çdo ditë nga Policia e Kosovës për dhunën në familje.

Gratë janë në shumicën e rasteve viktima të dhunës në familje ndërsa në data bazat e Policisë figurojnë edhe rastet kur gratë janë vrarë nga bashkëshortët e tyre.

Në emisionin “Kallxo Përnime” po trajtohet çështja e punës së institucioneve karshi rasteve të dhunës në familje.

Adelina Berisha, nga Rrjeti i Grave të Kosovës, tregoi disa raste ku institucionet e rendit dhe ligjit në Kosovë kishin dështuar që të ndërmarrin masa për të parandaluar vrasjet që kanë ndodhur mes bashkëshortëve.

“Edhe sivjet kemi vrasje të grave, fatkeqësisht të dyja janë edhe si pasojë e mosefikasitetit të mbrojtës dhe sigurisë në Kosovë. Reagimi institucional nuk ka qenë i duhur. E kemi rastin në Prishtinë, ka qenë edhe pse viktima ka kërku për vite me radhë mbrojtje edhe pse Policia e Kosovës ka qenë në njohuri se i dyshuari ka qenë recidivist për dhunë në familje, nuk është marrë askush me të”, tha Berisha.

Ajo shtoi se burri i cili më pas kishte kryer dhe vetëvrasje disa herë ka pasur probleme emocionale dhe raste të ndryshme në polici por sërish nuk është trajtuar dhe fundi ishte tragjik dhe përfundoi me dy viktima.

Berisha dha kritika edhe për trajtimin e rastit në Ferizaj, për të cilin shoqëria u trondit nga vrasja makabre e një 18-vjeçareje.

“Rasti tjetër në Ferizaj kemi të bëjmë me një kriminel që kishte mbi 100 vepra të ndryshme dhe asnjëherë nuk kishte marrë dënimin që meriton. Jemi të bindur se nëse ky do të vuante dënimin për veprat që kishte kryer ne sot nuk do ta kishim një 18-vjeçare të vrarë në mënyrë makabre. Si shoqëri jemi të nxitur me reagu në raste kur po ndodhin ato po nuk jemi tu e luftu dhunën çdo ditë, kjo nuk po ndodh ende”, tha tutje ajo.

Zëvendësministrja e Drejtësisë dhe koordinatorja nacionale për dhunën në familje brenda kësaj Ministrie, Nita Shala, tha se dhuna në familje është komplekse dhe shumëdimensionale.

Ajo shtoi se në trajtimin e këtyre rasteve duhet të ketë ndryshim edhe në mentalitet të shoqërisë por edhe në qasjen institucionale.

“Tashmë parandalimi dhe adresimi i dhunës në familje është prioritet qeveritar, unë si koordinatore nacionale kam rifunksionalizuar grupin koordinues ndërministror kundër dhunës në familje. Në këtë grup përfaqësohen të gjitha institucionet që janë në kontakt direkt me viktimën”, tregon hapat e ndërmarrë Shala.

Në grupin ndërministror, Shala tregoi se janë të kyçur zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, zëvendësministrja e Arsimit, zëvendësministrja e Shëndetësisë, dy përfaqësues nga Prokuroria e Shtetit madje edhe gjyqtar.

Shala tregon tutje se nga ana e Policisë së Kosovës ka pranuar informacione se personat e dyshuar për dhunë në familje po dalin para përgjegjësisë dhe po identifikohen cilët janë ata.

Në lidhje me rastin e vrasjes dhe vetëvrasjes që ka ndodhur në mars të këtij viti, ku burri dyshohej se kishte vrarë gruan e tij e më pas veten, zëvendësministrja Shala tha se është bërë një vlerësim i punës edhe nga ana e Avokatit të Popullit.

“I ka identifiku sfidat, ka gjetur shkelje në polici, te mbrojtja e viktimave. Institucionet vendore kanë dështu me garantu për një gjë që obligohen me garantu dhe na ka sjellë para përgjegjësisë me ndërmarrë masa në këtë aspekt”, tha Shala.

Avni Namani, shef i Sektorit të Hetimeve në Policinë e Kosovës tregoi se gjendja nga vitet e kaluara ka ndryshuar dhe institucioni që përfaqëson është më mirë.

“Më herët ka qenë numër më i vogël me trajtu dhunën në familje dhe këta hetues janë marrë edhe me raste të tjera, tani kemi hetues që merren ekskluzivisht me raste të dhunës në familje e jo me raste të tjera, janë realizu trajnime për këtë çështje”, tha Namani.

Namani nuk pati shifra se sa zyrtar policorë janë ndëshkuar për mosreagim ndaj rasteve të cilat kanë përfunduar me viktima ndërsa tha se Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprime edhe për ta.

“Në bazë të informatave që unë posedoj, Policia ka ndërmarrë hetime të cilat rregullohen me akte të brendshme, masat janë marrë ndaj zyrtarëve policorë që kanë bërë ndonjë lëshim të caktuar”, tha ai.

Tutje ai shtoi edhe se këtë vit Policia e Kosovës ka lëshuar disa rekomandime e udhëzime për zyrtarët policorë se si të trajtohet dhuna në familje.

“Vitin e fundit Policia e Kosovës ka dërguar një mori shkresash kanë lëshuar rekomandime, udhëzime se si duhet të trajtohen rastet e dhunës në familje, kemi edhe një numër të madh të inspektimeve që janë ndërmarrë nëpër stacione dhe janë ndërmarrë edhe masa disiplinore nëse ka pasur nevojë. Ka pasur edhe inspektime të kohë pas kohshme kur ka pasur nevojë. Nuk kam të dhëna të sakta sa polic janë disiplinuar”, tha Namani.

Vesa Batalli nga organizata VORAE, tha se gratë e komuniteteve joshumicë në Kosovë kanë humbur besimin në institucionet e Kosovës.

“Në parim pjesëtarët e komunitetit sidomos gratë nuk i raportojnë rastet e dhunës në familje sepse janë dyfish të shtypura dhe nuk kanë besim te institucionet”, tha ajo.