U.d. presidentja Haxhiu fton BE-në të dërgojë mision vëzhgues për zgjedhjet e 7 qershorit

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka ftuar Bashkimin Europian që përmes një misioni të pavarur vëzhgues të përcjellë dhe vlerësojë zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë që do të mbahen më 07.06.2026.

Për këtë Haxhiu i ka dërguar letër kryetares së Parlamentit Europian, Roberta Metsola dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, njëherësh zëvendëspresidente e Komisionit Europian, Kaja Kallas.

“Prania e Misionit Vëzhgues të BE-së do të kontribuonte në transparencën, kredibilitetin dhe integritetin e procesit zgjedhor, në përputhje me përkushtimin e vazhdueshëm të Republikës së Kosovës për standarde demokratike dhe zgjedhje të lira”- thuhet në njoftimin e Presidencës.

Mes tjerash në komunikatë theksohet se ftesa për dërgimin e misionit vëzhgues është shprehje e përkushtimit të Kosovës për një proces zgjedhor të hapur, transparent dhe të besueshëm.

Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 7 qershor 2026, pasi që Kuvendi dështoi ta zgjedhë presidentin e vendit brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

Në seancën e nisur më 27 dhe të përfunduar më 28.04.2026 nuk pati kuorum për votim për shkak të bojkotit të opozitës.