U.D Presidentja Albulena Haxhiu. Foto nga profili i saj.
U.D. Presidentja Haxhiu autorizoi dërgimin e FSK-së në Gaza
Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka autorizuar dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një operacion ndërkombëtar paqeruajtës në Gaza, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza.
“Nga një vend që dikur kishte nevojë për mbështetjen e të tjerëve, Kosova sot merr përgjegjësi dhe jep kontribut në skenën ndërkombëtare”- ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Sipas saj, ky vendim shënon një hap të rëndësishëm për Kosovën në arenën ndërkombëtare, duke reflektuar përgjegjësinë e vendit për të kontribuar në paqe dhe stabilitet global.
Ajo theksoi se Kosova po kalon nga një vend përfitues i sigurisë në një kontribuues aktiv, ndërsa vlerësoi profesionalizmin dhe gatishmërinë e FSK-së për të operuar krah partnerëve strategjikë.
Më 17.04.2026, Kuvendi i Kosovës ka miratuar vendimin e Qeverisë për dërgimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Gaza, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.
Për këtij vendimi votuan 89 deputetë, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se ky mision përfshin angazhimin e personelit të FSK-së në një komandë të unifikuar ndërkombëtare, që buron nga rezoluta 2803 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Ai tha se ftesa është dërguar nga Komanda qendrore e Shteteve të Bashuara të Amerikës, nënshkruar më 08.12.2025. Kurse, vullneti politik, sipas tij, është shprehur në Bordin e Paqes.
“Dërgimi i FSK-së në këtë mision përfshin pjesëmarrjen e personelit të FSK-së në kuadër të komandës së unifikuar të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, e cila si mision ka paraqes zbatimin e planit gjithëpërfshirës për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza”- tha ai gjatë fjalës së tij në Kuvend më 17.04.2026.
Sipas tij, të gjitha operacionet do të zhvillohen në përputhje me standardet ndërkombëtare.
“Të gjitha operacionet e kësaj Force do të kryhen në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe rregullat e angazhimit të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese”- u shpreh Maqedonci.