Foto: ZKM

Kuvendi i jep dritën e gjelbër dërgimit të FSK-së në Gaza

Kuvendi i Kosovës ka miratuar vendimin e Qeverisë për dërgimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Gaza, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.

Për këtij vendimi votuan 89 deputetë, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se ky mision përfshin angazhimin e personelit të FSK-së në një komandë të unifikuar ndërkombëtare, që buron nga rezoluta 2803 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ai tha se ftesa është dërguar nga Komanda qendrore e Shteteve të Bashuara të Amerikës, nënshkruar më 08.12.2025. Kurse, vullneti politik, sipas tij, është shprehur në Bordin e Paqes.

“Dërgimi i FSK-së në këtë mision përfshin pjesëmarrjen e personelit të FSK-së në kuadër të komandës së unifikuar të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, e cila si mision ka paraqes zbatimin e planit gjithëpërfshirës për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza”- tha ai gjatë fjalës së tij në Kuvend më 17.04.2026.

Sipas tij, të gjitha operacionet do të zhvillohen në përputhje me standardet ndërkombëtare.

“Të gjitha operacionet e kësaj Force do të kryhen në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe rregullat e angazhimit të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese”- u shpreh Maqedonci.

Ai theksoi se ky angazhim bazohet në kornizën ndërkombëtare të miratuar nga Këshilli i Sigurimit.

“Ky angazhim është në përputhje me Rezolutën 2803 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila ka krijuar kornizën ndërkombëtare për stabilizimin e situatës në Gaza dhe mbështetjen e një force të përkohshme ndërkombëtare me fokus sigurinë, stabilitetin, mbrojtjen e civilëve dhe mbështetjen e përpjekjeve humanitare”- tha ai.

Ministri shtoi se janë paraparë edhe aspektet praktike të misionit, përfshirë përgatitjen dhe sigurinë e personelit.

“Janë trajtuar përgatitja e personelit, masat e sigurisë, rregullat e angazhimit, çështja e sigurimit shëndetësor dhe jetësor, pagesat për rrezikshmëri dhe mbështetja financiare”- deklaroi ai.

Në fund, Maqedonci theksoi se ky vendim forcon pozitën ndërkombëtare të Kosovës.

“Ky vendim përforcon edhe më tej profilin ndërkombëtar të shtetit tonë”- përfundoi ai.

Opozita e kritikoi Vetëvendosjen se po zvarrit votimin e traktatit të Bordit të Paqes.

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj ripërsëriti se duhet që të votohet edhe traktati i Bordit të Paqes e jo të zvarritet më tej. 

Ai poashtu tregoi se është në dijeni që 22 ushtarë të FSK-së e kanë marrë vizën nga Egjipti për këtë çështje.

Kosova është zotuar se do të dërgojë trupa në këtë vend të shkatërruar nga lufta në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS), mekanizëm që është paraparë të formohet me themelimin e Bordit të Paqes – nismës së presidentit amerikan, Donald Trump për arritjen e paqes në botë.

Komandanti i Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, Jasper Jeffers, ka bërë të ditur se Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – përfshirë Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar se do të angazhojnë trupa, me qëllim të ofrimit të sigurisë në Gazë.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kishte thënë në një intervistë për Tëvë1, se në Gazë planifikohen të dërgohen “fillimisht mbi 20 ushtarë” të fushave të ndryshme.

“Do të dominojë EOD-ja (Njësia për Eliminimin e Mjeteve të pashpërthyera) dhe deminimi, që është një specialitet tashmë i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Do të kemi edhe oficerë dhe nënoficerë nga operacionet speciale, por gjithashtu do të kemi edhe oficerë planifikues që do të jenë të atashuar në komandën e Forcës Stabilizuese. Por, do të kemi edhe ekipe mjekësore të cilat do të jenë pjesë e këtij kontingjenti të Forcës së Sigurisë së Kosovës”- ka thënë Maqedonci më 24.03.2026.

Mblidhet Kuvendi, në rend dite edhe vendimi për dërgimin e pjesëtarëve të FSK-së në Gaza