Bregdeti i Dhërmiut dhe i Palasës i fotografuar nga Qafa e Llogarasë | Foto L LSA

Tuneli i Llogorasë, Edi Rama: Do shkurtojë kohën nga 55 në 10 minuta

Këtë të diel në Shqipëri ka nisur puna për ndërtimin e tunelit të Llogorasë, një ëndërr 30 vjeçare siç e quajti kryeministri shqiptar Edi Rama, që do shkurtojë kohën e mbërritjes në jugun e vendit.

Rama tha se projekti mund të përfundoj më herët se afati prej 33 muajsh (afër 3 vjet).

“Tuneli do të bëjë të mundur një shkurtim të konsiderueshëm të kohës, një rritje të konsiderueshme të sigurisë dhe një lidhje organike me segmentin tjetër që është në ndërtim e sipër, ai i Orikumit dhe pastaj me by-passin e Vlorës që është drejt përfundimit me detajet e fundit për të qenë plotësisht i kryer në sezonin e ardhshëm turistik dhe më tutje me by-pass-in e Fierit”, tha Rama.

Tuneli i Llogarasë nis nga ura e Shën Elizës në zonën e Dukatit deri në urën e Palasës me nje projekt prej 139.6 milionë eurosh. Rama shtoi pas pak ditësh do të ngrihet edhe kantieri i Aeroportit të Vlorës që do ketë kapacitet për fluturime transoqeanike.

“Do të jetë një aeroport i cili do të sjellë vlerë të shtuar si një aeroport i një kategorie të lartë, ndër më të lartat sipas standardeve europiane, 4E që do të ofrojë fluturime kudo, edhe kapacitet fluturimesh transoqeanike dhe shërbime të cilat ende sot nuk i ka aviacioni civil shqiptar që do të jenë të mundura dhe në aeroportin tjetër Nënë Tereza, falë një investimi tjetër që fillon nga ai aeroport në pistë që sot e bën të pamundur vendosjen e fluturimeve direkte me SHBA dhe vende të tjera jashtë Europës”, tha kryeministri.

Sipas Ramës, brenda disa javësh do të hapet dhe kantieri i portit turistik të Vlorës që do jetë një port për jahtet./Top Channel