Gaza

Trupat izraelite tërhiqen nga spitali Shifa

Ushtria izraelite u tërhoq nga spitali më i madh i Gazës herët të hënën pas një operacioni dyjavor, që ajo e cilësoi të suksesshëm, ndërsa banorët palestinezë thanë se la pas vetes të vrarë dhe shkatërrime të mëdha.

Ushtria e përshkroi bastisjen në spitalin Shifa si një nga operacionet më të suksesshme të luftës gati gjashtëmuajshe. Ajo tha se vrau shumë luftëtarë të Hamasit dhe militantë të tjerë, përfshirë operativë të lartë, dhe sekuestroi armë e të dhëna të vlefshme për shërbimet e zbulimit.

Agjencitë e Kombeve të Bashkuara thanë se disa pacientë vdiqën dhe dhjetëra u rrezikuan gjatë operacionit që solli edhe më shumë shkatërrim në një spital që tashmë kishte pushuar së funksionuari. Ditët e luftimeve të ashpra treguan se Hamasi ende mund të bëjë rezistencë edhe në një nga zonat më të goditura të Gazës.

Mohammed Mahdi, i cili ishte në mesin e qindra palestinezëve që u kthyen në zonë, e përshkroi vendin si skenë të “shkatërrimit të tërësishëm”. Ai tha se disa ndërtesa ishin djegur dhe se kishte numëruar gjashtë trupa në zonë, duke përfshirë dy në oborrin e spitalit.

Video pamjet e shpërndara në internet tregojnë ndërtesa të dëmtuara dhe të djegura rëndë, grumbuj dheu dhe pacientë të shtrirë në barela në korridoret e errëta.

Izraeli e ka akuzuar Hamasin për përdorimin e spitaleve për qëllime ushtarake dhe ka bastisur disa objekte mjekësore. Ushtria izraelite tha se nisi operacionin në Shifa pasi Hamasi dhe militantët e tjerë ishin rigrupuar atje.

Zyrtarët shëndetësorë në Gaza i mohojnë këto akuza. Kritikët akuzojnë ushtrinë për rrezikimin e pamatur të civilëve dhe për shkatërrimin e një sektori shëndetësor tashmë të mbingarkuar me të plagosur nga lufta. Palestinezët thonë se trupat izraelite evakuuan me forcë shtëpitë pranë spitalit Shifa në qendër të qytetit të Gazës dhe detyruan qindra banorë të ikin në jug.

Të paktën 21 pacientë kanë vdekur që nga fillimi i operacionit, shkroi në rrejtin X Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus./VOA