Foto: Benjamin Netanyahu / Facebook
Trump e Netanyahu do ta diskutojnë fazën tjetër të planit të Gazës
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pritet të shtyjë përpara çështjen e armëpushimit të bllokuar në Gazë, kur të hënën (29.12.2025) do të takohet me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për bisedimet që do të përfshijnë shqetësimet e Izraelit për “Hezbollahun” në Liban dhe për Iranin, ka raportuar Reuters.
Netanyahu ka thënë gjatë muajit se Trump e ka ftuar për bisedime, ndërsa Uashingtoni shtyn përpara krijimin e një qeverisjeje kalimtare dhe një force ndërkombëtare sigurie për enklavën palestineze.
Trump ka thënë se mund të takohet së shpejti me liderin izraelit, por Shtëpia e Bardhë nuk ka konfirmuar hollësitë. Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj kërkesës së Reutersit për koment lidhur me takimin.
Netanyahu, i cili pritet të vizitojë rezidencën e Trumpit në Mar-a-Lago, ka deklaruar më 22 dhjetor se diskutimet pritet të përfshijnë fazën e dytë të armëpushimit në Gazë, si dhe Iranin dhe Libanin.
Uashingtoni ndërmjetësoi armëpushime në të tre frontet, por Izraeli është i kujdesshëm ndaj armiqve të tij që po rigrupojnë forcat e tyre pasi u dobësuan ndjeshëm në luftë.
Të gjitha palët u morën vesh në tetor për planin e Trumpit për armëpushimit, i cili kërkon që Izraeli të tërhiqet nga Gaza dhe “Hamasi” të çarmatoset dhe të heqë dorë nga roli qeverisës në enklavë.
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka theksuar gjatë javës së kaluar se Uashingtoni dëshiron që administrata kalimtare e parashikuar në planin e Trumpit – një Bord Paqeje dhe një organ i përbërë nga teknokratë palestinezë – të jetë në fuqi së shpejti për ta qeverisur Gazën, përpara vendosjes së forcës ndërkombëtare të sigurisë që u mandatua nga rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 17 nëntor.
Por Izraeli dhe “Hamasi” kanë akuzuar njëri-tjetrin për shkelje të mëdha të marrëveshjes.
“Hamasi”, i cili ka refuzuar të çarmatoset dhe nuk ka kthyer mbetjet e pengut të fundit izraelit, ka rimarrë kontrollin, ndërsa trupat izraelite mbeten të vendosura në rreth gjysmën e territorit.
Izraeli ka lënë të kuptohet se nëse “Hamasi” nuk çarmatoset paqësisht, do të rifillojë veprimet ushtarake për ta çarmatosur.
Ndërsa luftimet janë zbutur, nuk janë ndalur plotësisht. Edhe pse armëpushimi zyrtarisht filloi në tetor, sulmet izraelite kanë vrarë më shumë se 400 palestinezë – shumica e tyre civilë, sipas zyrtarëve të shëndetësisë në Gazë – ndërsa militantët palestinezë kanë vrarë tre ushtarë izraelitë.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com