Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Transmetoi konferencën e PDK-së në faqen e Kuvendit, kompanisë i ndërpritet kontrata

Zyra e Sekretarit të Kuvendit ka njoftuar se kanë pezulluar kontratën me operatorin ekonomik “Ekonomia Online”, pasi që në faqen e Kuvendit të Kosovës u transmetua konferenca e Partisë Demokratike të Kosovës në Podujevë.

Në lidhje me këtë kishte reaguar kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, e cila kishte kërkuar të merren masa ndaj atyre që kanë lejuar të ndodh kjo.

Përmes një komunikate për media, Kuvendi ka treguar se ka marrë 3 vendime në lidhje me këtë situatë.

“1.Iniciohet procedurë disiplinore për Menaxherin e Kontratës, 2. Nga sot, datë 27 nëntor 2020, pezullohet kontrata e shfrytëzimit të shërbimeve nga operatori “Ekonomia Online”, 3. Inicohet kërkesa për kompensimin e dëmit të shkaktuar lidhur me integritetin institucional dhe imazhit të Kuvendit”, thuhet në reagimin e Kuvendit të Kosovës.

Në lidhje më këtë ka reaguar edhe operatori ekonomik, Ekonomia Online. Ata përmes një komunikate për media kanë pretenduar se ka qenë një gabim teknik.

“Gjatë procesit të “crosspostingut” të kësaj ngjarjeje, është selektuar gabimisht dhe faqja e Kuvendit të Kosovës. Redaksia e EO e merr përsipër këtë gabim teknik dhe është e gatshme të përballet me konsekuencat. Ne i kërkojmë falje publike Kuvendit të Kosovës nëse kjo ka ndikuar në prishjen e imazhit”, thuhet në reagimin e “Ekonomia Online”.

Sekretaria ka njoftuar se këto masa kanë hyrë në fuqi që nga sot.

Faqja e Kuvendit transmetoi aktivitetin e PDK-së, reagon Vjosa Osmani