FOTO: Policia e Shtetit/Facebook.

Tiranë, mbi 2 mijë forca të angazhuara për sigurinë e samitit të Procesit të Berlinit, Policia njofton për kufizimet e lëvizjeve

Policia e Shtetit ka njoftuar se për garantimin e rendit publik, para, gjatë dhe pas zhvillimit të samitit të Procesit të Berlinit, i cili pritet të mbahet nesër në Tiranë, janë angazhuar 1,604 punonjës të Policisë së Shtetit, 400 punonjës të Gardës së Republikës dhe 200 punonjës të Policisë Bashkiake Tiranë.

Për këtë qëllim, në disa akse rrugore do të ketë kufizime të lëvizjeve, me intervale të caktuara kohore.

Në njoftimin e Policisë thuhet se duke filluar ora 20:00 e datës 15 tetor deri në përfundim të Samitit, më datë 16 tetor, në orën 20:00, do të ndalohet parkimi, qarkullimi i automjeteve dhe i qytetarëve, por do të lejohet vetëm lëvizja e qytetarëve që janë rezidentë në ambiente banimi brenda perimetrit të sigurisë, në akset si më poshtë:

-Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e Dajtit deri te sheshi “Nënë Tereza”;

-Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”;

-Rruga “Papa Gjon Pali II”, “ETC-RTSH-Stadium”;

-Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Liceut deri te rruga e “Elbasanit”;

-Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;

-Rruga “Jul Variboba”, pranë postës, në rrugën e Elbasanit dhe në rrugën “Papa Gjon Pali II”;

-Rruga “Fatmir Haxhiu”, te ETC;

-Rruga “Lekë Dukagjini”, nga sheshi “Frederik Shopen”, deri te stadiumi “Air Albania” dhe përreth stadiumit;

-Rruga “Ukraina e lirë”.

*Në rrugën “Papa Gjon Pali II”, nuk do të lejohet as lëvizja me këmbë, e qytetarëve.

Më datë 16 tetor, nga ora 08:00 deri në orën 12:00, dhe nga ora 15:30 deri në orën 20:00, do të ndalohet qarkullimi i automjeteve, në këto akse rrugore:

– Rinas – Mbikalimi i Kasharit – autostrada “Durrës – Tiranë” – ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e Tiranës – rrethrrotullimi i Saukut – rrethrrotullimi pranë Akademisë së Sigurisë – Pallati i Brigadave – rrethrrotullimi i qytetit “Studenti”, deri tek kryqëzimi me bulevardin “Bajram Curri”;

– Bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”, deri te Rruga e Elbasanit (ky ndalim vlen për të gjitha llojet e mjeteve);

– Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi me bulevardin “Zhan D’Ark” deri te sheshi “Nënë Tereza”;

– E gjithë rruga “Papa Gjon Pali II”;

– Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit, deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Kufizime të qarkullimit të automjeteve të tonazhit të rëndë, do të ketë në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë – Milot – Thumanë – Fushë Krujë – Vorë”.

Për të lehtësuar mbarëvajtjen e këtij aktiviteti të rëndësishëm, Policia e Shtetit ka kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve, që të reduktojnë në maksimum përdorimin dhe qarkullimin me automjete, gjatë kësaj dite, si dhe që të përdorin akse rrugore dhe drejtime të tjera lëvizjeje.

Në Tiranë nesër pritet të mbahet samiti i Procesit të Berlinit, ku do të marrin pjesë udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti francez Emmanuel  Macron dhe përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka shtyrë për disa orë mbërritjen në Shqipëri për shkak të një sulmi ekstremist, ku u vra një mësues, dhe situatës në Lindjen e Mesme.

Ai nuk do të mund të marrë pjesë në takim por do të vazhdojë me planin për vizitë zyrtare në Shqipëri.

Në Procesin e Berlinit merr pjesë edhe Kosova si shtet, sikurse shtetet e tjera.

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Procesi i Berlinit është i nevojshëm për integrimin në BE.

Samiti i Berlinit po ndodh në një kohë kur Kosova është përballur me një situatë të tensionuar në veri të vendit. Një polic i Kosovës u vra nga një grup terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Procesi i Berlinit është një nismë e iniciuar më 2014 nga kancelarja e atëhershme e Gjermanisë, Angela Merkel. Ky proces përqendrohet në lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit.

Procesi përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinën.

Shtetet pjesëmarrëse të BE-së janë: Austria, Bullgaria, Kroacia, Franca, Greqia, Gjermania, Polonia, Sllovenia dhe Italia.

Kancelari Scholz më herët ka bërë të ditur se synon që ta ringjallë këtë proces, duke thirrur një takim në Berlin më vonë gjatë këtij viti.

Tashmë është publikuar edhe agjenda e plotë e këtij samiti.