Samiti i Berlinit për Ballkanin Perëndimor, 3 nëntor 2022, Foto: Qeveria e Kosovës
Nesër mbahet samiti i Berlinit në Tiranë
Krerët e institucioneve të Bashkimit Evropian do të takohen të hënën në Tiranë, në kuadër të Procesit të Berlinit.
Agjenda e Samitit i cili do të mbledhë gjashtë kryeministrat e rajonit në Tiranë ende nuk është bërë publike.
Në Procesin e Berlinit merr pjesë edhe Kosova si shtet, sikurse shtetet tjera. Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se procesi i Berlinit është i nevojshëm për integrimin në BE.
Samiti i Berlinit po ndodhë në një kohë kur Kosova është përballur me një situatë të tensionuar në veri të vendit. Një polic i Kosovës u vra nga një grup terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Për Samitin ka shkruar edhe nikoqiri i tij, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka thënë se pjesëmarrjen e kanë konfirmuar presidentit të Francës, Emmanuel Macron; kancelari i Gjermanisë,Olaf Scholz si dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk ka përjashtuar mundësinë e një takimi të liderëve të Kosovës dhe Serbisë në samitin e Procesit të Berlinit, që pritet të mbahet më 16 tetor në Tiranë.
Pjesëmarrja e Kurtit në Samitin e Berlinit vjen në një kohë kur Rama-Kurti kanë pasur disa përplasje.
‘Mollë Sherri’ është bërë anulimi i mbledhjes së përbashkët të dy qeverive e cila ishte paraparë të mbahet në qershor por që u anulua nga kryeministri Rama për shkak të situatës në veri.
E një muaj më vonë kur Rama erdhi në Kosovë për turin ballkanik për Samitin e Berlinit, Kurti nuk e priti në takim në zyrën e tij.
Edhe pas sulmit në Banjskë, kryeministri Rama ka deklaruar se veriu duhet të menaxhohet nga KFOR, një deklaratë të tillë e ka dhënë edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
Në reagimin e tij për këtë propozim Kurti ka theksuar se është Policia e Kosovës është ajo që përgjigjet për sigurinë në Kosovë, pastaj vijnë EULEX-i dhe KFOR-i.
Procesi i Berlinit është një nismë e iniciuar më 2014 nga kancelarja e atëhershme e Gjermanisë, Angela Merkel. Ky proces përqendrohet në lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit.
Procesi përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinën.
Shtetet pjesëmarrëse të BE-së janë: Austria, Bullgaria, Kroacia, Franca, Greqia, Gjermania, Polonia, Sllovenia dhe Italia.
Kancelari Scholz më herët ka bërë të ditur, se synon që ta ringjallë këtë proces, duke thirrur një takim në Berlin më vonë gjatë këtij viti.
Kosova ka mirëpritur këtë paralajmërim të Gjermanisë, teksa kundërshton nismën rajonale “Ballkani i Hapur”, ku aktualisht bëjnë pjesë Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.