
Thellohet skandali, takimet mes “Ferronikeli”-t dhe KPMM-së pa procesverbal
Sipas kryesueses së bordit të KPMM-së, Selvete Grajqevci Pllana, bordi kishte zhvilluar dy takime me “Ferronikeli”-n para se ndërmarrja të dërgonte ankesën.
E në këto takime nuk ishte mbajtur procesverbal.
Në këto takime janë mbajtur shënime në një fletore.
“Jo, procesverbal nuk kemi mbajtur por i kemi diskutuar të gjitha gjërat pasi që ka qenë vetëm një bisedë ad hoc” – ka thënë Grajqevci Pllana.
Kreshnik Gashi, redaktor në Kallxo.com, ka thënë se nuk mund të mbahet asnjë takim jashtë bordit dhe të merren vendime të rëndësishme pa procesverbal.
“A e dini që shteti duhet të mbajë regjistër se kë e ka takuar, për çka e ka takuar, çka është folur në takim? Qysh takohet “Ferronikeli” pa mbajtur procesverbal? Duhet të jetë zyrtarja apo edhe të lëshohet një audio-incizim rreth takimit” – ka theksuar Gashi
Ai ka shtuar se meqë mungojnë procesverbalet nuk dihet mirë se si KPMM ka ardhur deri te vendimi për borxhin e “Ferronikeli”-t.
Një raport i Auditorit kishte konstatuar se ndërmarrja “NewCo Ferronikeli” nuk kishte raportuar drejt për rentën minerare në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).
Pas kësaj KPMM kishte vendosur të formojë një komision për të adresuar gjetjet e Auditorit.
Komisioni kishte konstatuar se “NewCo Ferronikeli” për shkak të mosraportimit të drejtë kishte hyrë në borxh te KPMM.
Pasi që kishte pranuar këtë raport të komisionit, Sali Mulaj, zëvendës i drejtorit në KPMM, i kishte drejtuar një njoftim për dështim të ndërmarrjes.
Në këtë njoftim për dështim, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, figuron se borxhi i “Ferronikeli”-t ndaj KPMM-së është 9,019,979.44 euro.
Sipas arsyetimit, ndërmarrja “NewCo Ferronikeli” nuk u është përmbajtur kushteve të licencës të parapara në LMM-në nr. 03/L-163.
Ndërmarrja ishte ankuar te komisioni i ankesave në KPMM, komisioni kishte vendosur që ankesa e “NewCo Ferronikeli” të pranohet pjesërisht, duke nënkuptuar se kjo ndërmarrje ka raportuar në mënyrë të rregullt, por vetëm duhet ta plotësojë diferencën në Departamentin e Financave dhe Gjeologjisë në KPMM.
Bordi i KPMM-së i cili e kishte trajtuar rekomandimin e “NewCo Ferronikeli” kishte konstatuar se ndërmarrja nuk ka raportuar në rregull, por që sipas tyre ajo duhej të paguante vetëm borxhin nga viti 2018 e tutje.
KALLXO.com ka kontaktuar “NewCo Ferronikeli Complex” për të marrë versionin e tyre për këtë çështje, mirëpo të njëjti nuk kanë pranuar të deklarohen.
“Çështja është duke u vlerësuar nga organet përkatëse institucionale. Në këtë kuptim, përderisa nuk është kërkuar zyrtarisht versioni ynë, në këtë fazë, nuk e vlerësojmë të arsyeshme që të bëjmë ndonjë deklaratë që mund të shkaktojë keqkuptime apo të ndikojë në një vendim të mundshëm” – thuhet në përgjigjen e ndërmarrjes.