Gani Maliqi - Foto: KALLXO.com
Borxhi milionësh i “Ferronikeli”-t, Gani Maliqi arsyeton vendimin e tij
Në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet edhe për udhëzimin administrativ, me anë të të cilit rregullohet grumbullimi i rentës minerare.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik në vitin 2011 e kishte bërë një udhëzim administrativ përmes të cilit caktohet edhe renta minerare, pra secila kompani është e obliguar që t’i paguajë taksë shtetit për resurset minerale që i shfrytëzon.
Renta minerare caktohet nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale.
Sipas këtij udhëzimi, llogaritja e xehes duhet të bëhet sipas vendit të ngjarjes.
Por që nga atëherë kjo llogaritje është bërë me material të terur, pra edhe xehet e kompanisë “Ferronikeli” janë bërë me këtë llogaritje.
Një raport i Auditorit kishte konstatuar se ndërmarrja “NewCo Ferronikeli” nuk kishte raportuar drejt për rentën minerare në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).
Pas kësaj, KPMM kishte vendosur të formojë një komision për të adresuar gjetjet e Auditorit.
Komisioni kishte konstatuar se “NewCo Ferronikeli” për shkak të mosraportimit të drejtë, kishte hyrë në borxh te KPMM.
Pasi që kishte pranuar këtë raport të komisionit, Sali Mulaj, zëvendës i drejtorit në KPMM, i kishte drejtuar një njoftim për dështim ndërmarrjes.
Ndërmarrja ishte ankuar te komisioni i ankesave në KPMM, komisioni kishte vendosur që ankesa e “NewCo Ferronikeli” të pranohet pjesërisht, duke nënkuptuar se kjo ndërmarrje ka raportuar në mënyrë të rregullt, por vetëm duhet ta plotësojë diferencën në Departamentin e Financave dhe Gjeologjisë në KPMM.
Bordi i KPMM-së, i cili e kishte trajtuar rekomandimin e “NewCo Ferronikeli” kishte konstatuar se ndërmarrja nuk ka raportuar në rregull, por që sipas tyre ajo duhej të paguante vetëm borxhin nga viti 2018 e tutje.
Njëri nga këta anëtarë që kanë vendosur që t’i faturohet borxhi nga 2018-ta është edhe Gani Maliqi, i cili është anëtar i bordit të KPMM-së.
Ai në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se kjo është bërë për arsye se në vitin 2018 është ndërruar pronari.
“Në momentin që është bërë bartja e kontrollit, Departamenti i Financave brenda KPMM-së, ka thënë se kompania “Ferronikeli” nuk ka detyrime ndaj KPMM-së. Arsyeja numër dy, Ligji për investime të huaja thotë që mundesh me u kthy 5 vjet mbrapa edhe me kërku borxhe dhe faktori më i rëndësishëm se pse nuk është ngarkuar me borxhe “Ferronikeli” është që të gjithë ata që kanë punuar më herët në KPMM, deklarimi i rentës bëhet në bazë tremujore e në fund të vitit bëhet barazimi i borxheve” – ka thënë Maliqi.
Ai ka shtuar se që nga viti 2011 e deri më 2021, kompanisë “Ferronikeli” nuk i është thënë që ka borxhe.
Megjithatë Visar Prebreza, redaktor në KALLXO.com, ka thënë që Ligji ia mundëson KPMM-së të kthehet vite mbrapa atëherë kur e kupton që ka gabuar dhe i mundëson këtij institucioni t’i mbledhë borxhet.