Gashi: Askush nuk është shkarkuar për “faljen” e 8 milionëve të “Ferronikeli”-t

Në emisionin “Kallxo Përnime” po debatohet për rastin ku Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale ia fali 8 milionë euro borxh kompanisë “Ferronikeli”.

Kreshnik Gashi, redaktor në Kallxo.com, ka thënë se kjo situatë nuk do të kalojë pa pasur ndonjë shkarkim.

“Kjo situatë nuk ka me kalu pa ‘gjak’, pa u shkarku pra dikush nga pozita, pa dalë kryeministri Kurti me na thanë që e shkarkova këtë zyrtar si përgjegjës për këtë gjë. Gjuetia e parë është me e gjetë dikë që mund t’ia drejtojmë gishtin dhe e shpallim fajtor për atë se çfarë ka ndodhur në bordin e KPMM-së, për diskutimet, për kërkesat që janë bërë, për mungesën e këshillimit prej anës së Qeverisë Kurti” – ka thënë Gashi.

Sipas Gashit, ish-kryesuesja e bordit të Komisionit për Miniera dhe Minerale, Selvete Grajqevci Pllana, ka thënë që KPMM-ja i ka njoftuar institucionet se çfarë është duke ndodhur me situatën për “Ferronikeli”-n, por Qeveria ka heshtur.

Gashi ka shtuar se ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e ka ditur se çfarë është duke ndodhur por ka zgjedhur të heshtte.

“Edhe disa të tjerë në Kuvend kanë qenë të njoftuar me situatën por si ata ashtu edhe Qeveria e ka lënë me vendos KPMM-në, pra nuk kanë reaguar, edhe Qeveria duhet t’i marr përsipër fajet” – ka thënë Gashi.

Për këtë temë është diskutuar edhe në emisionin e së martës me ish-kryesuesen Selvete Grajqevci Pllana.

Një raport i Auditorit kishte konstatuar se ndërmarrja “NewCo Ferronikeli” nuk kishte raportuar drejt për rentën minerare në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).

Pas kësaj KPMM kishte vendosur të formojë një komision për të adresuar gjetjen e Auditorit.

Komisioni kishte konstatuar se “NewCo Ferronikeli” për shkak të mosraportimit të drejtë, kishte hyrë në borxh te KPMM.

Pasi që kishte pranuar këtë raport të Komisionit, Sali Mulaj zëvendës i drejtorit në KPMM, i kishte drejtuar një njoftim për dështim ndërmarrjes.

Në këtë njoftim për dështim, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, figuron se borxhi i “Ferronikeli”-t ndaj KPMM-së është 9,019,979.44 euro.

Sipas arsyetimit, ndërmarrja “NewCo Ferronikeli” nuk u është përmbajtur kushteve të licencës të parapara në LMM-në nr. 03/L-163.

Ndërmarrja ishte ankuar tek komisioni i ankesave në KPMM, komisioni kishte vendosur që ankesa e “NewCo Ferronikeli” të pranohet pjesërisht, duke nënkuptuar se kjo ndërmarrje ka raportuar në mënyrë të rregullt, por vetëm duhet ta plotësoj diferencën në departamentin e Financave dhe Gjeologjisë në KPMM.

Bordi i KPMM-së i cili e kishte trajtuar rekomandimin e “Ferronikeli”-t kishte konstatuar se ndërmarrja nuk ka raportuar në rregull, por që sipas tyre ajo duhej të paguante vetëm borxhin nga viti 2018 e tutje.

KALLXO.com ka kontaktuar “NewCo Ferronikeli”-n për të marrë versionin  e tyre për këtë çështje, mirëpo të njëjti nuk kanë pranuar të deklarohen.

“Çështja është duke u vlerësuar nga organet përkatëse institucionale. Në këtë kuptim, përderisa nuk është kërkuar zyrtarisht versioni ynë, në këtë fazë, nuk e vlerësojmë të arsyeshme që të bëjmë ndonjë deklaratë që mund të shkaktojë keqkuptime apo të ndikojë në një vendim të mundshëm” – thuhet në përgjigjen e ndërmarrjes.

Rrjedha si u hodh poshtë dosja e “Ferronikeli”-t për borxhin 9-milionësh