Thellohet skandali në Krimet Ekonomike, arrestohet hetuesi i dytë

Edhe një hetues tjetër i Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës është arrestuar sonte nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Kështu, numri i hetuesve policorë të arrestuar sonte shkon në 2, pas arrestimit pak orë më parë të hetuesit të lartë të Krimeve Ekonomike, Lavdim Osmanit.

KALLXO.com mëson se hetuesi i dytë i arrestuar dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sa i përket hetuesit të parë, Lavdim Osmanit, KALLXO.com merr vesh se ai është arrestuar në vepër, duke marrë 1,450 euro ryshfet.

Inspektorati Policor i Kosovës konfirmoi lajmin e publikuar nga KALLXO.com për arrestimin e Lavdim Osmanit.

Sipas IPK-së, dy persona janë arrestuar në fillim të aksionit dhe se njëri prej tyre është zyrtar policor. Operacioni sipas IPK-së po vazhdonte.