The Economist: Donald Trump përbën rrezikun më të madh për botën në vitin 2024

Një hije ka rënë mbi botën. Në edicionin e kësaj jave, gazeta prestigjioze The Economist, e ka publikuar udhëzuesin e 38-të vjetor parashikues për vitin e ardhshëm të quajtur The World Ahead 2024, dhe gjatë gjithë asaj kohe asnjë person i vetëm nuk e ka eklipsuar analizën e The Economist aq sa Donald Trump e ka eklipsuar për vitin 2024.  

Trump po i dominon zgjedhjet paraprake republikane. Disa sondazhe e vendosin atë përpara Presidentit Joe Biden në shtetet e pavendosura. Në një prej sondazeve, për New York Times, 59% e votuesve i besuan atij në ekonomi, krahasuar me vetëm 37% për presidentin aktual Biden. Në zgjedhjet primare, të paktën, paditë civile dhe ndjekjet penale vetëm sa e kanë forcuar ish presidentin Trump. Për dekada demokratët janë mbështetur në mbështetjen e votuesve zezakë dhe hispanikë, por një numër domethënës po e braktisin partinë. Në 12 muajt e ardhshëm, një pengesë e secilit nga kandidatët mund ta përcaktojë garën – dhe kështu ta përmbys botën.

Ky është një moment i rrezikshëm që një njeri si Trump të kthehet në Zyrën Ovale. Demokracia është në telashe në SHBA. Pretendimi i Trump se i kishte fituar zgjedhjet në vitin 2020 ishte më shumë se një gënjeshtër: Ishte një bast cinik se ai mund t’i manipulonte dhe frikësonte bashkatdhetarët e tij dhe ka funksionuar. Amerika gjithashtu përballet me armiqësi në rritje jashtë vendit, e sfiduar nga Rusia në Ukrainë, nga Irani dhe milicitë aleate të tij në Lindjen e Mesme dhe nga Kina përtej ngushticës së Tajvanit dhe në Detin e Kinës Jugore. Këto tri vende i koordinojnë lirshëm përpjekjet e tyre dhe ndajnë një vizion të një rendi të ri ndërkombëtar në të cilin fuqia është e drejtë dhe autokratët janë të sigurt.

Për shkak se republikanët Maga e kanë planifikuar mandatin e tij të dytë prej muajsh, Trump 2 do të ishte më i organizuar se Trump 1. Besimtarët e vërtetë do t’i zinin pozicionet më të rëndësishme. Trump do të ishte i pakufizuar në ndjekjen e ndëshkimit, proteksionizmit ekonomik dhe marrëveshjeve teatrale ekstravagante. Nuk është çudi që perspektiva e një mandati të dytë të Trump ekspozondëshprim në krejt botën. Mirëpo, dëshpërimi nuk është një plan. Ka kaluar koha për të vendosur rregull në ankth.

Kërcënimi më i madh që paraqet Trump është për vetë SHBA-të. Pasi ta rifitojë pushtetin për shkak të mohimit të zgjedhjeve të tij në vitin 2020, ai me siguri do të afirmohej në ndjenjën e tij të thellë se vetëm humbësit e lejojnë veten të jenë të kufizuar nga ligjet, zakonet dhe vetëflijimi që e bëjnë një komb. Në ndjekjen e armiqve të tij, Trump do t’i bëjë luftë çdo institucioni që i pengon, përfshirë gjykatat dhe Departamentin e Drejtësisë.

Megjithatë, një fitore e Trump vitin e ardhshëm do të kishte gjithashtu një efekt të thellë jashtë SHBA-së. Kina dhe miqtë e saj do të gëzoheshin për dëshmitë se demokracia amerikane është jofunksionale. Nëse Trump shkel mbi procesin e rregullt ligjor dhe të drejtat civile në Shtetet e Bashkuara, diplomatët e tij nuk mund t’i shpallnin ato jashtë vendit. Jugu global do të konfirmohej në dyshimin e tij se thirrjet amerikane për ta bërë atë që është e drejtë janë vetëm një ushtrim hipokrizie. Amerika do të bëhej vetëm një fuqi tjetër e madhe.

Instinktet proteksioniste të ish presidentit Trump do të ishin gjithashtu të pakufizuara. Në mandatin e tij të parë, ekonomia lulëzoi pavarësisht tarifave të tij të vendosura nga prodhimeve të Kinës. Planet e tij për një mandat të dytë do të ishin më të dëmshme. Ai dhe ndihmësit e tij po e mendojnë një taksë universale prej 10% mbi importet, më shumë se trefishi i nivelit sot. Edhe nëse Senati e frenon një gjë të tillë, proteksionizmi i justifikuar nga një këndvështrim i gjerë i sigurisë kombëtare do t’i rriste çmimet për amerikanët. Trump gjithashtu e ka ndezur ekonominë në mandatin e tij të parë duke i ulur taksat dhe duke i shpërndarë pagesat për COVID-19. Këtë herë, Amerika ka deficite buxhetore në një shkallë të parë vetëm në luftë dhe kostoja e shërbimit të borxheve është më e lartë. Uljet e taksave do ta ushqenin inflacionin, jo rritjen.

Jashtë SHBA-së, mandati i parë i Trump ishte më i mirë se sa pritej. Administrata e tij i dha armë Ukrainës, ndoqi një marrëveshje paqeje midis Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahreinit dhe i frikësoi shtetet evropiane se edhe ato duhet t’i rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes. Politika e Amerikës ndaj Kinës u bë më e ashpër. Nëse analizojmë, një tjetër presidencë transaksionale mund të sjellë disa përfitime. Indiferenca e Trump ndaj të drejtave të njeriut mund ta bëjë qeverinë saudite më të detyrueshme pasi të përfundojë lufta në Gaza dhe t’i forcojë marrëdhëniet me qeverinë e Narendra Modit në Indi.

Mirëpo, një mandat i dytë do të ishte ndryshe sepse bota ka ndryshuar. Nuk ka asgjë të keqe që vendet të jenë transaksionale: ato janë të detyruara t’i vënë interesat e tyre në radhë të parë. Megjithatë, epshi i Trumpit për një marrëveshje dhe ndjenja e tij për interesat e Amerikës janë të pakufizuara nga realiteti dhe të paankoruara nga vlerat.

Trump mendon se kur Amerika humb jetëra dhe para në Evropë atëherë kjo nënkupton një marrëveshje të keqe. Prandaj ai ka kërcënuar se do t’i japë fund luftës së Ukrainës brenda një dite dhe do ta shkatërrojë NATO-n, ndoshta duke e refuzuar angazhimin e Amerikës për ta trajtuar një sulm ndaj një vendi si një sulm ndaj të gjitha vendeve. Në Lindjen e Mesme Trump ka të ngjarë ta mbështesë Izraelin pa rezerva, sado që ta nxisë konfliktin në rajon. Në Azi, ai mund të jetë i hapur për ta bërë një marrëveshje me presidentin e Kinës, Xi Jinping, për ta braktisur Tajvanin sepse ai nuk mund ta kuptojë pse Amerika do të futej në luftë me një superfuqi të armatosur bërthamore për ta përfituar një ishull të vogël.

Megjithatë, duke e ditur se Amerika do ta braktiste Evropën, Putini do të ushqente edhe më shumë një nxitje për të luftuar në Ukrainë dhe për t’i shënjestruar ish vendet sovjetike si Moldavia apo shtetet baltike. Pa presionin amerikan, Izraeli nuk ka gjasa ta krijojë një konsensus të brendshëm për bisedimet e paqes me palestinezët. Duke llogaritur se Trump nuk qëndron përkrah aleatëve të tij, Japonia dhe Koreja e Jugut mund të fitojnë armë bërthamore. Duke pohuar se Amerika nuk ka përgjegjësi globale për të ndihmuar në trajtimin e ndryshimeve klimatike, Trump do t’i shtypte përpjekjet për ta ngadalësuar atë. Dhe ai është i rrethuar nga skifterët kinezë që besojnë se konfrontimi është mënyra e vetme për ta ruajtur dominimin amerikan. E zënë mes një presidenti që bën marrëveshje dhe zyrtarëve të tij luftënxitës, Kina mund ta bëjë keqllogaritjen mbi Tajvanin, me pasoja katastrofike.

Zgjedhjet që janë me rëndësi

Një mandat i dytë i Trumpit do të ishte një pikënisje në një mënyrë që nuk ishte i pari. Fitorja do t’i konfirmonte instinktet e tij më shkatërruese për pushtetin. Planet e tij do të hasnin më pak rezistencë. Dhe për shkak se Amerika do ta ketë votuar Trumpin pas një kohe duke ditur më të keqen, autoriteti i saj moral do të binte. Zgjedhjet do të vendosen nga dhjetëra mijëra votues në vetëm një pjesë të vogël të shteteve. Në vitin 2024, fati i botës do të varet nga votat e tyre./The Economist

Përgatiti: Nuhi Shala