Foto: Valdrin Xhemaj/EPA

Thaçi e Mustafa vazhdojnë komunikimet me letra, ende nuk është mandatuar Hoti

Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se presidenti Hashim Thaçi i ka shkruar sot letër kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, lidhur me përpjekjet për formimin e shumicës parlamentare për krijimin e Qeverisë së re.

Sipas komunikatës së LDK-së, Isa Mustafa e ka njoftuar presidentin Thaçi se partia e tij është duke punuar intensivisht për të formuar shumicën parlamentare.

“Kryetari i LDK-së, Dr. Isa Mustafa, ia ka kthyer letrën duke e njoftuar për angazhimet dhe takimet intenzive të LDK-së, për të krijuar shumicën parlamentare, si dhe ka siguruar Presidentin se në një të ardhme shumë të afërt do të krijoj shumicën parlamentare dhe propozoj kandidatin për Kryeministër të Kosovës”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

LDK sot gjatë ditës ka nënshkruar koalicion me AAK-në dhe Listën Serbe.