Foto: Plani per shtrirje te ngrohjes ne lagjen 'Dardania'

Termokos tregon pse shtëpitë private në lagjen ‘Dardania’ nuk janë futur në projekt të zgjerimit

Ngrohtorja e qytetit Termokos në bashkëpunim dhe me financim të Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) nga viti 2018 ka nisur procedurat për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes nëpër pjesë të ndryshme të qytetit.

Deri tani janë mbuluar një pjesë e qendrës, lagjia ‘Mati 1’, derisa në plan janë edhe një pjesë e lagjes ‘Arbëria e ‘Dardania’.

Ditëve të fundit banorë të rrugës “Musine Kokalari” të lagjes ‘Dardania’ kanë shprehur pakënaqësi për faktin se Termokos i la jashtë rrjetit të ngrohjes, duke kyçur vetëm disa institucione.

Naim Bytyqi nga Departamenti i Distribuimit në ngrohtoren Termokos për KALLXO.com ka bërë të ditur se projekti për zgjerim të rrjetit si donacion i Bankës Gjermane për Zhvillim ka cak kyçjen e objekteve me banim kolektiv apo institucioneve, jo shtëpive private.

“Projekti për rehabilitim dhe zgjerim të rrjetit të ngrohjes qendrore, është donacion i Bankës Gjermane për Zhvillim ( kfW ). Me projekt është planifikuar, përveç tjerash, edhe kyçja në sistemin e ngrohjes qëndrore të objekteve që gravitojnë afër rrjetit të Termokosit. Donatori në të gjitha fazat e projektit ka patur cak kyçjen në rrjetin e ngrohjes vetëm të objekteve me banim kolektiv apo institucioneve”, ka thënë Bytyqi.

“Përcaktimin e kahjes së zgjerimit të rrjetit të ngrohjes, sikur edhe për të gjitha projektet tjera e ka realizuar kompania konsulente e angazhuar nga Banka Gjermane për Zhvillim (Kfw)” shton tutje zyrtari i Termokosit.

Zgjerimi i rrjetit të ngrohjes me financim të Bankës Gjermane për Zhvillim përshinë lagjen ‘Mati 1’ , Zonën Qendër, një pjesë të lagjes ‘Dardania’ dhe ‘Arbëria’. Për të gjitha këto lagje janë aplikuar kriteret e vëna nga ana e donatorit.

Bytyqi tutje potencoi, se duke marr parasysh kërkesën e madhe të banorëve në shtëpi private në këtë zonë të lagjes ‘Dardania’, Termokos ka rritur dimensionin e gypit furnizues, ku në vitet e ardhshme do u mundësohet kyçja edhe shtëpive private.

“Duke patur në konsideratë interesimin e banorëve të kësaj lagjeje, të cilët posedojnë shtëpi private, për t’u bërë pjesë e sistemit të ngrohjes qëndrore, Termokosi , në pamundësi për përfshirjen e tyre në projektin aktual, me investime të veta ka mundësuar rritjen e dimensionit të gypit furnizues  dhe instalimin e katër degëzimeve, përmes të cilave në vitet e ardhshme, shtëpive private të kësaj lagjeje, do tu jepet mundësia, në bashkëfinancim me Termokosin,  për kyçje në rrjetin e ngrohjes qëndrore”, shtoi tutje Bytyqi.

 

Sipas Termokos, zyrtarët e tyre kanë pritur disa herë në takime përfaqësues të kësaj lagjeje për t’ua sqaruar në detaje projektin dhe mundësitë për kyçjen e tyre në të ardhmen.

Në kuadër të këtij projekti për këtë pjesë të lagjes “Dardania”, është e planifikuar të kyçen disa objekte të vjetra banesore, një qendër afariste dhe objekti i një institucioni shtetëror.

Foto: Plani per shtrirje te ngrohjes ne lagjen ‘Dardania’

Nga Termokos potencuan se projektimi dhe planifikimi i këtij donacioni është përmbyllur në vitin 2018, por procedurat  e tenderimit e kanë zvarritur deri në vitin 2021.

Deri më tani me projektet për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes, që janë realizuar me fondet e donatorëve ndërkombëtar, konkretisht me projektin, që është në realizim e sipër, është shtrirë rrjeti i ngrohjes tek 141 objekte kolektive banesore në lagjen “Mati 1” (përreth rrugës “Muharrem Fejza”), pjesa në qendër tek Katedralja ‘Nënë Tereza’, dhe një pjesë tek Fakulteti Teknik.