Teleskopi Webb vëren ujë në një sistem planetar

Astronomët kanë zbuluar avuj të ujit që rrotullohen pranë një ylli aty pranë – duke treguar se planetët që formohen rreth tij një ditë mund të jenë në gjendje ta mbështesin jetën.

Sistemi i ri planetar, PDS 70, është 370 vite dritë larg. Ylli në qendër të tij është rreth 5.4 milionë vjet i vjetër dhe më i freskët se dielli ynë. Rreth tij janë dy planetë gjigantë të njohur të gazit dhe studiuesit së fundmi përcaktuan se njëri prej tyre, PDS 70b, mund ta ndajë orbitën e tij me një planet të tretë “vëlla-motër” që po formohet atje.

Dy disqe të ndryshme gazi dhe pluhuri – përbërësit e nevojshëm për t’i formuar yjet dhe planetët – e rrethojnë yllin. Një hendek që përfshin 8 miliardë kilometra i ndan disqet e brendshme dhe të jashtme. Gjigantët e gazit janë në hendek, ku rrotullohen rreth yllit.

Instrumenti me infra të kuqe të mesme i Teleskopit Webb zbuloi prezencën e avullit të ujit në diskun e brendshëm, më pak se 160 milionë kilometra nga ylli. Astronomët besojnë se disku i brendshëm është vendi ku mund të formohen planetë të vegjël shkëmborë të ngjashëm me ata në sistemin tonë diellor nëse PDS 70 është diçka si sistemi ynë diellor. Në sistemin tonë, Toka rrotullohet në një distancë prej 150 milionë kilometrash nga dielli.

Një studim që i detajon gjetjet e lartcekura u botua të hënën në revistën Nature.

“Kemi parë ujë në disqe të tjerë, por jo aq afër dhe në një sistem ku planetët po grumbullohen aktualisht. Ne nuk mund ta bënim këtë lloj matjeje më herët, para se ta kishim teleskopin Webb”, thotë autorja kryesore e studimit, Giulia Perotti, studente postdoktorale në Institutin Max Planck për Astronominë në Heidelberg, Gjermani. PDS 70 është relativisht i vjetër për një yll që pret një disk që e formon planetin.

Misteri i avullit të ujit

Astronomët u befasuan kur zbuluan avujt e ujit pranë yllit duke pasur parasysh moshën e tij. PDS 70 është relativisht i vjetër për një yll që pret një disk që e formon planetin.

Sasia e gazit dhe pluhurit në këto disqe zvogëlohet me kalimin e kohës për shkak të aktivitetit të yllit, ose për shkak se materiali grumbullohet së bashku për të formuar planetë. Uji nuk ishte parë më parë në një disk që formonte planetin e kësaj epoke, gjë që i bëri astronomët të besonin se avulli i ujit nuk mund t’i mbijetonte rrezatimit yjor për periudha kaq të gjata dhe se çdo planet shkëmbor që formohej atje do të ishte i thatë.

Asnjë planet nuk është gjetur të formohet në diskun e brendshëm, por të gjithë përbërësit e nevojshëm janë zbuluar. Prania e avullit të ujit sugjeron që planetët mund të përmbajnë ujë në një formë. Vetëm koha do të tregojë nëse planetët formohen – dhe nëse ata janë potencialisht të banueshëm për jetën.

“Ne gjejmë një sasi relativisht të lartë të kokrrave të vogla të pluhurit. Kombinuar me zbulimin tonë të avullit të ujit, disku i brendshëm është një vend shumë emocionues”, thotë në një deklaratë bashkëautori i studimit Rens ëaters, profesor i astrofizikës në Universitetin Radboud në Holandë.

Por nga e ka origjinën avulli i ujit?

Është e mundur që atomet e hidrogjenit dhe oksigjenit të kombinohen për të formuar molekula uji brenda diskut të brendshëm, ose që grimcat e pluhurit të akullt të lëvizin nga disku i jashtëm më i ftohtë në diskun e brendshëm të nxehtë, duke bërë që akulli të bëhet avull.

Avulli i ujit ka të ngjarë të ketë mbetur i qëndrueshëm pavarësisht afërsisë me yllin, sepse pluhuri e mbron atë nga shpërbërja nga rrezatimi ultravjollcë i yllit. Ekipi hulumtues planifikon të vëzhgojë më shumë sistemin përmes teleskopit ëebb në të ardhmen për të zbuluar sekrete shtesë ndërkohë që një sistem planetar merr formë.

“Ky zbulim është jashtëzakonisht emocionues, pasi e heton rajonin ku zakonisht formohen planetë shkëmborë të ngjashëm me Tokën”, thotë në një deklaratë bashkautori i studimit Thomas Henning, drejtor i Institutit Max Planck për Astronominë dhe hetues bashkëkryesor i Instrumentit Infra të Kuq të Mesëm të Webb./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala