Telekomi reagon pas vendimit të Gjykatës që e detyron t’i paguajë 5.7 milionë euro kompanisë “Dardafon.net”

Telekomi i Kosovës ka reaguar lidhur me vendimin e fundit të Gjykatës Komerciale, e cila e detyron t’ia paguajë 5.7 milionë euro kompanisë “Dardafon.net” në procedurën përmbarimore.

Gjykata Komerciale e Kosovës në vendimin e saj më 17 korrik 2023, të marrë nga gjyqtari Alajdin Tërshnjaku, për rastin e procedurës përmbarimore mes debitorit Telekomi i Kosovës dhe kreditorit “Dardafon.net” ka vendosur lidhur me ekzekutimin e vendimit përfundimtar të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit të vitit 2016.

Përmes këtij vendimi, Gjykata Komerciale e detyron Telekomin e Kosovës që t’ia paguajë kreditorit “Dardafon.net” shumën 5,732,871.34 euro në një afat prej 7 ditësh nën kërcënim të përmbarimit me dhunë.

Lidhur me këtë vendim ka reaguar Telekomi i Kosovës.

“Telekomi i Kosovës ndodhet në një situatë ku veçse ka paguar shumën prej më shumë se 40 milionë euro përkundër detyrimit të obliguar në vlerë prej 27.6 milionë sikurse ishte përcaktuar në Vendimin e Arbitrazhit (afërsisht 13 milionë mbipagesa që duhet të kthehen nga Dardafon). Kështu, në një proces gjyqësor në shkelje flagrante të parimeve themelore procedurale, të dokumentuar si të ndikuar nga Dardafon.net, Telekomi detyrohet të paguajë më shumë se dyfishin e detyrimit nga një gjykatë shtetërore” – thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, Telekomi i Kosovës brenda afatit ligjor ka ushtruar të drejtën për ankesë dhe lënda është në vendosje pranë Gjykatës Komerciale, Dhomës së Shkallës së Dytë.

Telekomi i Kosovës konsideron që mënyra e trajtimit të kontestit me “Dardafon.net” është tejet shqetësuese dhe në shkelje të parimeve themelore të administrimit të drejtësisë.

Tutje, në komunikatë theksohet që është hera e tretë që gjykata e shkallës së parë vendos për këtë rast pasi që dy vendimet paraprake janë anuluar për shkak të shkeljeve themelore të të drejtave kushtetuese dhe ligjore të Telekomit të Kosovës për një proces të drejtë ligjor.

Sipas Telekomit të Kosovës edhe ky reagim publik vjen për shkak të përsëritjes dhe dështimit të adresimit të këtyre shkeljeve brenda sistemit të drejtësisë dhe përsëritjes së shkeljeve të njëjta në dëm të Telekomit të Kosovës.

Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G

Marrëveshja kishte shkuar deri në Tribunalin e Arbitrazhit, i cili kishte vendosur në favor të “Dardafonit”.

Sipas Telekomit, vendimi i Arbitrazhit ishte mbi 27 milionë euro, kurse Telekomi veçse kishte kryer pagesa në emër të vendimit të Arbitrazhit në shumën prej rreth 40 milionë euro ndaj “Dardafonit”.

Sipas Telekomit të Kosovës, kompanisë “Dardafon” i janë paguar mbi 13 milionë euro më shumë.

Për këtë rast të përmbarimit ishte bërë një ekspertizë financiare, të cilën e kishte përpiluar eksperti financiar Remzi Ismajli, i cili ishte caktuar nga organi përmbarues në bazë të vendimit të Gjykatës Komerciale të datës 27 tetor 2022 për nxjerrjen e provës me ekspertizë financiare.

’Sipas Konkluzionit të organit përmbarues, si dhe sipas ekspertizës financiare e po ashtu sqarimeve të dhëna të ekspertit financiar në seancën e datës 25.04.2023, gjykata vlerësoi se detyrat për nxjerrje të provës me ekspertizë financiare janë dhënë në mënyrë të duhur dhe në kuadër të kufijve të titullit përmbarimor, në raport me zhvillimet në procedurë përmbarimore si deri më tani’’ – thuhet në vendimin e Gjykatës.

I njëjti në ekspertizë kishte përcaktuar se Telekomi i Kosovës ka mbetur pa i paguar “Dardafonit” edhe rreth 5,732,871.34 euro.

Tutje, i njëjti kishte deklaruar se nga llogaritja e borxheve të Telekomit ka filluar nga paraqitja e urdhrit për përmbarim, pra nga propozimi për një urdhër të tillë dhe në bazë të marrëveshjes së arritur mes palëve të datës 17.11.2020.

Telekomi i Kosovës kishte propozuar që të bëhet një ekspertizë e re financiare për rastin përmbarimor me kompaninë “Dardafon”.

Gjykata e Prishtinës me konkluzion, më 25 prill 2023, kishte refuzuar propozimin e Telekomit të Kosovës për një ekspertizë të re për rastin përmbarimor me kompaninë “Dardafon”.

Sipas vendimit të Gjykatës, debitori – Telekomi i Kosovës Sh.A, e kishte kundërshtuar këtë ekspertizë në vazhdimësi edhe gjatë mbajtjes së seancave dëgjimore në riprocedurë.

Sipas vendimit, Gjykata ia ka falur besimin ekspertizës financiare – plotësimit të saj të datës 31 janar 2023 të realizuar në procedurë përmbarimore nga eksperti financiar Remzi Ismajli.

Raportimet e KALLXO.com lidhur më këtë rast mund t’i gjeni në këtë LINK.