Foto: Denis Sllovinja / Galeria e Arteve

Të premten hapet ekspozita ‘Atelieja e piktorit të panjohur’ në Galerinë Kombëtare

Krijuesi Genc Kadriu do të hapë të premten ekspozitën “Atelieja e piktorit të panjohur” në Galeria Kombëtare të Kosovës.

GKK ka bërë të ditur përmes një njoftimi se kjo ekspozitë hapet në ora 19:00 dhe për një muaj do të jetë e ekspozuar në këtë galeri.

“Atelieja e piktorit të panjohur është një alegori e pacaktuar dhe e paplotë e dimensionit estetik të përvojës, i cili është jokonceptual dhe nuk të tregon çfarë të besosh, sepse ta jep aftësinë për të përjetuar hapjen radikale dhe të pakushtëzuar që nuk mund t’ia imponosh askujt”- thuhet në njoftimin e GKK-së.

Genc Kadriu  është artist bashkëkohor i cili aktualisht jeton dhe vepron mes Prishtinës dhe Tiranës.

GKK thotë se praktika ndërdisiplinore e Kadriut karakterizohet nga përplasja e hapësirës së brendshme personale me realitetin shoqëror.

Kultura materiale, trashëgimia kolektive, historia natyrore, ritualet spirituale dhe kujtimet, sipas GKK-së janë disa nga veçoritë që rishfaqen nëpër veprat e Kadriut përmes grumbullimeve skulpturore dhe instalacioneve muzeologjike.