Targat ilegale, nga 1 nëntori policia shqiptoi rreth 1,740 fletëqortime

Rreth 1,740 fletëqortime u janë shqiptuar pronarëve të mjeteve që kanë qarkulluar me targa ilegale në Kosovë që nga 1 nëntori e deri më sot.

Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.

“Ashtu siç parashihej me vendim zyrtar nga data një (1) Nëntor 2022, pronarëve të mjeteve që kanë qarkulluar me targa të tilla ilegale në Kosovë, nga Policia e Kosovës iu është shqiptuar masa e qortimit, me udhëzimin që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS, ku deri më sot (mesditë) janë shqiptuar rreth 1.740 qortime”- njofton Policia.

Në anën tjetër, gjobitja e pronarëve të mjeteve që qarkullojnë në Kosovë me targa ilegale do të fillojë me 22 nëntor dhe jo me 21 nëntor, ashtu siç parashihej në venidimin e 28 tetorit të Qeverisë së Kosovës.

“Sipas vendimit deri me datë 21 nëntor do të vazhdojë shqiptimi i masës së qortimit, ndërsa pas kësaj date nga njëzet e dy (22) Nëntor deri me datë njëzet e një (21) Janar 2023, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës me targa të tilla ilegale, sipas vendimit zyrtar Policia e Kosovës do të filloj zbatimin drejt shqiptimit të gjobës sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim.

Që nga 1 nëntori kur Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur.

Plani i Qeverisë parasheh që të gjitha makinat me targa serbe të konvertohen në targa të Kosovës, deri më 21 prill të vitit 2023.