Foto: ZPRK

Takimi i miqve të vjetër

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka mbajtur takim me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku me qëllim të diskutimit për zhvillimet e fundit në vend.

Sipas një komunikate për media nga Presidenca, në takim me kreun e LDK-së, Osmani e ka njoftuar Abdixhikun për zhvillimet në fushën e sigurisë dhe të politikës së jashtme.

“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka falënderuar të gjitha subjektet opozitare, për mbështetjen ndaj institucioneve të sigurisë në përballje me agresionin e Serbisë” – thuhet në komunikatë.

Draft-statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ka qenë temë diskutimi mes presidentes dhe kreut të LDK-së.

Në njoftim bëhet e ditur se Osmani ka ritheksuar se Gjykata Kushtetuese është institucioni që duhet ta bëjë vlerësimin e kushtetutshmërisë, duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë dhe profesionalizmit.

Kurse Abdixhiku e ka njoftuar presidenten lidhur me shqetësimet e LDK-së sa i përket përmbajtjes së draft-statutit dhe janë diskutuar mundësitë për trajtimin e këtyre shqetësimeve në mënyrë që mos të lejohen dykuptimësi që mund ta dëmtojnë funksionimin e brendshëm të Kosovës.

Nga Presidenca thonë se ftesa për takim u janë dërguar edhe subjekteve të tjera opozitare.

“Institucioni i Presidencës është vazhdimisht i hapur për koordinim me parti dhe institucione për çështje të rëndësisë nacionale. Në kuadër të konsultimeve të fundvitit, krahas takimeve me krerë të institucioneve dhe të partive politike, Presidentja Osmani do të mbajë takime edhe me përfaqësues të komuniteteve joshumicë në Kuvend,  me shoqërinë civile dhe me mediat”- njofton Presidenca.

Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë propozuar Kosovës një draft-statut për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe- marrëveshje që rrjedh nga procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, propozim të cilin e ka pranuar kryeministri Albin Kurti.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abidxhiku, e ka kritikuar përmbajtjen e draftit, i cili javë më parë iu prezantua subjekteve politike opozitare nga zyra e emisarit Miroslav Lajçak.

Në mbledhjen e Këshillit të përgjithshëm të LDK-së, Abdixhiku tha se dokumenti e ngërthen një autonomi të zgjeruar territoriale përbrenda Kosovës, me tendencë drejt federalizmit.

Përmbajtja e dokumentit nuk është bërë publike zyrtarisht, përderisa konfidencialiteti i tij po arsyetohet nga palët si kërkesë e ndërkombëtarëve.

Palët deklaruan se dokumenti është i pranueshëm për ta, mirëpo liderët e të dyja vendeve arsyetuan fshehtësinë e përmbajtjes, duke thënë se kjo është kërkuar nga pesë emisarët, pasi përpjekjet diplomatike janë ende në vazhdim.